E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gazeta “55”, kampione e dekomunistizimit në të gjithë shtypin e vendeve të Lindjes

08-12-2012 / Gazeta 55

Festohet 15-vjetori i gazetës “55”, të përditshmes që guxoi të vinte si shtylla të aksionit të saj publicistik, antikomunizmin, mbështetjen e vlerave më të mira perëndimore të shqiptarëve si dhe aleancën strategjike me SHBA-të. Përfaqësues të politikës si dhe të botës së medias vlerësuan kontributin e gazetës në këto vite të rëndësishme për zhvillimin e medias në Shqipëri

-- Në një atmosferë festive, si rrallëherë në këto 15 vjet jetë, gazeta “55” ka festuar 15 vjetorin e saj të themelimit. Në ceremoni ishin të pranishëm personalitetet më të larta të vendit, të Trupit Diplomatik, personalitete të jetës politike, protagonistë të medias, etj. Në kremtimin e mbajtur në hotel “Tirana International” ishin edhe presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, kryetari i bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, ambasadori i SHBA në Tiranë z, Aleksandër Arvizu, ministra, deputetë, diplomatë, etj.
Fjalën e hapjes e mbajti themeluesi i gazetës “55”, gazetari e shkrimtari i njohur, z. Fahri Balliu. Në fjalën e tij z. Balliu, ndër të tjera tha se: “Gazeta “55” mbush 15 vjet dhe në këtë përvjetor gjej rastin të falënderoj ideatorin dhe mbështetësin kryesor z. Sali Berisha. Në këto 15 vjet jetë gazeta ka kaluar nëpër situata të jashtëzakonshme dhe nuk ka ngjarje që ajo të mos ketë qenë e pranishme. Gazeta ka mbështetur gjithmonë progresin, unitetin e vendit, ka mbështetur forcat progresiste, politikën e SHBA jo vetëm ndaj vendit tonë por kudo në botë. Gazeta ka qenë në një luftë të madhe me të keqen, me krimin, korrupsioni dhe gjitha ata që mbanin eng vendin në rrugën e integrimit evropian. Gjej rastin të falënderoj të gjithë miqtë e mi, ata që na kanë mbështetur gjithmonë edhe në  momentet më të vështira”.
Më pas të pranishmit ndoqën një dokumentar të shkurtër mbi jetën 15 vjeçare të gazetës dhe shtëpisë botuese “55.
E përditshmja “55” ka qenë dhe është një mbështetëse e madhe e politikës së SHBA, njëherësh një mike e saj. Në fjalën e tij ambasadori amerikan z. Aleksandër Arvizu nënvizoi pikërisht këtë miqësi, këtë mbështetje e këtë bashkëpunim të shkëlqyer. Ambasadori lexoi edhe letrën e kongresmenit Cristopher H. Smith, drejtuar botuesit të gazetës “55”, në të cilën theksonte kontributin e kësaj gazete në këto 15 vite, si mbrojtëse e vlerave të demokracisë “Misioni dhe puna e shtypit të lirë, sidomos e gazetës “55” është tepër e nevojshme në mbrojtje të vlerave të demokracisë. 7 dhjetori është një ditë përkujtimore edhe për SHBA, pasi kujtojmë viktimat e Pearl Harbour, ndaj edhe kjo ceremoni sot në këtë ditë të shënuar ka një domethënie të veçantë”.
Në fjalën e tij kryeministri i vendit z. Sali Berisha, falënderoi gazetën “55” dhe themeluesin e saj z. Fahri Balliu, duke evidentuar vlerat e kësaj gazete në këto 15 vjet jetë, vite të rëndësishme ndryshimesh e transformimesh. Ai e cilësoi “55”-n një kampione për kontributin e dekomunistizimit në të gjithë ish-Lindjen komuniste.
Në fjalën e tij Nunci Apostolik në vendin tonë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglès, me rastin e 15 vjetorit të “Gazetës 55” dhe “Shtëpisë Botuese 55”, ndër të tjera u shpreh: “...Fjala ime e parë është sigurisht “përgëzime!”. Përgëzime juve, Zoti Fahri Balliu dhe të gjithë atyre që në fund të shekullit të kaluar, më pak se një dekadë mbas rënies së komunizmit në këtë Vend, kur Shqipëria ende “e re” demokratike u përfshi në një situatë gati kaotike, patët vizionin, kurajon dhe bujarinë t’i futeni një aventure me rreziqe dhe kërkuese, por njëkohësisht premtuese. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ne jemi mbledhur këtu, sonte, për të kremtuar suksesin e këtyre dy institucioneve të rëndësishme: “Gazetës 55” dhe “Shtëpisë Botuese 55”, të cilat nën drejtimin e Zotit Balliu dhe me ndihmën e stafit të tij kompetent dhe profesional, janë bërë përkatësisht njëra prej gazetave të përditshme më të mëdha në Shqipëri, si tribunë e mendimit konservator intelektual, dhe njëra prej shtëpive më të mëdha botuese në këtë Vend, me mbi 100 tituj të rinj të botuara në vit.”
Në vijim të ceremonisë, Presidenti i Republikës dekoroi me Urdhrin e Mirënjohjes, përkthyesin e shquar rumun z. Marius Dobresku, një bashkëpunëtor i vyer i Shtëpisë Botuese “55”, për kontributin e tij të çmuar në fushën e përkthimeve, pasi i ka prezantuar lexuesit rumun me dhjetëra autorë e tituj nga letërsia shqiptare, ndër të cilët edhe veprat më të njohura të shkrimtarit Ismail Kadare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›