Berisha: Gazeta “55”, kampione e dekomunistizimit

Deklarata/“Guximi yt, zoti Balliu, të ka sjellë suksese gjithnjë e më të mëdha, dhe unë jam i bindur se, suksese të tjera të presin”
I nderuar President i Republikës, Bujar Nishani
E Nderuar Kryetare e Parlamentit, Jozefina Topalli
Zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha
Zoti Ambasador i SHBA, Aleksandër Arvizu
Zoti Ambasador i BE, Ettore Sequi
I dashur zoti Fahri Balliu
Të nderuar miq dhe të ftuar
Është një nder i madh për mua, të përshëndes sot shumë përzemërsisht drejtorin, krijuesin e gazetës “55” dhe të shtëpisë botuese “55”, në këtë ditë përvjetori të madh të gazetës, 15 vjetorin e krijimit të saj që, përbën një festë të madhe të vërtetë, për gazetën, ekipin e saj, për shtypin shqiptar, për shoqërinë shqiptare.
Festa e gazetës është festë e fjalës së lirë, është nderim për fjalën e lirë, e cila përbën thelbin e të gjitha lirive të tjera, përbën faktikisht thelbin e dinjitetit të njeriut.
Gazeta “55” e ngritur në nderim të sakrificës mbinjerëzore, që shqiptarët bënë në 45 vite për fjalën e lirë, e cila në Shqipëri si në asnjë vend tjetër në ligjet barbare të atij regjimi ishte e dënuar me dënim kapital. E ngritur në mirënjohje të thellë ndaj tyre dhe në zotim solemn, se kurrë më, në këtë vend nuk do të mund të vendoset censura, ndonëse kjo në momentet më kritike për fjalën e lirë. Shkrimtari, publicisti, dramaturgu i talentuar Fahri Balliu konstatoi se, një kërcënim i madh i kanosej fjalës së lirë në Shqipëri dhe pas saj natyrisht lirive të tjera. Nëse ky kërcënim vinte direkt nga përpjekjet e fuqishme të një bote në të cilën shqiptarët ishin ndarë, por që po bënte gjithçka për restaurim.
Fahriu sot ka një numër të madh miqsh, por me mijëra të tjerë nderojnë sot gazetën “55”, sepse ajo u bë zëdhënëse e mendimit të tyre. Gazeta guxoi kur ata ndoshta dhe nuk guxonin. Gazeta shprehu mendimin e tyre kur ato dhe mund të mbeteshin të ndrydhura. Drejtori i saj qartësoi këtu se, një nga drejtimet kryesore do të ishte anti-komunizmi, për arsye se, rënia e perdes së hekurt dhe përmbysja e diktaturave komuniste u shoqërua me shpërndarjen në atmosferën e demokracive të reja të këtij pluhuri të kuq toksik, që synonte të merrte frymën e tyre.
Në qoftë se njerëzimi në një mënyrë ose në një tjetër u nda me sistem e tjera barbare totalitare, e vërteta është se shoqëria e qytetëruar perëndimore dha kontribut të jashtëzakonshëm për përmbysjen e këtyre diktaturave, por nuk arriti kurrë të japë kontributin e duhur në dekomunistizimin e shoqërive post diktatoriale. Në të kundërt, ndodhi që në një formë apo në një tjetër, për një arsye apo për një tjetër t’i bëjnë dhe njëfarë avokatie të heshtur, në raste të caktuara.
Në këto rrethana, gazeta “55” feston sot 15 vjetorin para shqiptarëve dhe mbarë opinionit publik të vendeve ish-komuniste, si kampione e vendosur e kësaj lufte, e kësaj beteje, për nxjerrjen e të vërtetave historike të një regjimi, të cilin Bernard Henri Levy do ta quante barbari me fytyrë njerëzore, në fakt edhe fytyrën s’e kishte njerëzore. Gazeta “55”, në 15 vite është një avokate e pamposhtur e interesit kombëtar të shqiptarëve. Faqet e saj kanë qenë gjithnjë të hapura për zërin e shqiptarëve kudo që ata jetonin, në Shqipëri, në Kosovë, në diasporë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe kudo. Ata kishin në këtë gazetë një mik të çmuar për të përcjelle mesazhin e unitetit kombëtar, mesazhin e bashkimit kombëtarë, mesazhin e idealit kombëtarë.
Gazeta qëndroi e vendosur në vokacionin perëndimor të kombit shqiptarë. Që në themelimin e saj do të themelonte institutin De Gasperi, të këtij italiani dhe europiani gjenial, që sëbashku me evropianë të tjerë të mëdhenj, themeloi Bashkimin Europian. Gazeta do të ishte një gazetë, e cila me respektin e saj të palëkundur ndaj besimeve të ndryshme fetare do të bënte gjithçka për të mbështetur këtë thesar të çmuar shpirtëror të shqiptarëve, që është respekti ndaj besimit të njëri-tjetrit.
Nga gazeta lindi Shtëpia Botuese “55”, shtëpia që ka botuar në shqip librat më të mëdhenj të shekullit që shkoi. Shtëpia, që ka pasuruar libraritë, bibliotekat e lexuesve shqiptarë, e të rinjve shqiptarë, e intelektualëve shqiptarë, e libërtarëve shqiptarë me kryeveprat botërore të letërsisë, të zhanreve të ndryshme.
Nga memoriet e Max Cleland, heroit të shekullit të XX, tek kryeveprat e Montefiores, “Stalini i Kuq”, libri i cilësuar si Libri i Shekullit. Memoriet e presidentit George Bush, kryeministrit Tony Blair, heronj kombëtarë këta të kombit shqiptar me vendimet e tyre historike, në momente kritike për kombin.
Gazeta “55” dhe shtëpia botuese janë një pasuri e madhe në letrat, fjalën, shtypin shqiptarë.
Fahri Balliu është autor i veprave më të arrira që në rininë e tij dhe në rast se ndalemi tek “Arkitekti” dhe dramat e tij, natyrisht ato shkëlqejnë si perla në letërsinë shqiptare, por do të thosha se “Zonja e Zezë”, e Fahri Balliut përbën një kryevepër jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha kombet që vuajtën aq shumë nga zonja e zeza, nga Nexhmije Hoxha tek Cian Cini, tek Elena Çaushesku dhe tek zonja të tjera të zeza, që u bënë gjëmën kombeve të tyre në kohën e sundimit të burrave të tyre mizor.
Ndaj dhe në këtë 15 vjetor le të falenderojmë me mirënjohje të madhe Fahri Balliun dhe të shpreh kënaqësinë time të madhe për realizimet e tij.
Dua ta mbyll këtë fjalë me një adresim miqësor ndaj tij: - guximi i dashur Fahri është nëna, është burimi i të gjitha sukseseve. Të kam njohur në vitet e diktaturës së thellë, të kam njohur një mik të guximshëm, gjithmonë ke guxuar dhe gjithmonë guximi yt të ka sjellë suksese gjithnjë e më të mëdha dhe unë jam i bindur se, suksese të tjera të presin.
Faleminderit shumë për të gjithë kontributin tënd”.
Përshëndetja e kryeministrit në kremtimin për 15-vjetorin e gazetës “55”
...