E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gjatë 2011-ës, do realizojmë ambiciet e mëdha të Shqipërisë

06-01-2011 / Gazeta 55

Kryeministri i apelon PS-së të bashkëpunojë me mazhorancën për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian


Mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave për këtë vit, kryeministri Sali Berisha ia dedikoi krejtësisht një bilanci në terma të përgjithshëm të vitit që lamë pas, një bilanci për të gjitha fushat. Por, kreu i qeverisë, të parën në listën “e më të mirave” të vitit 2010, vendosi heqjen e vizave, lëvizjen e shqiptarëve në Schengen vetëm me një pasaportë biometrike. Kryeministri tha se me nisjen e lëvizjes pa viza më 15 dhjetor, qeveria përmbushi premtimin më të rëndësishëm të të gjithë karrierës së saj politike. “Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët për qytetarinë që treguan më mënyrën si e trajtuan këtë akt madhor, siç ishte liberalizimi i vizave. Viti 2010 është vit i bekuar për shqiptarët”- u shpreh kryeministri Berisha. E dyta në listën e arritjeve ishte turizmi. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë iu referua mediave më serioze në botë, të cilat shkruajnë çdo ditë e më shumë lajme pozitive për Shqipërinë, duke e shpallur atë destinacionin kryesor të planetit. “Shqipëria- Miss Bota- E bukura e Dheut, kështu shkruajnë mediat më serioze të botës. Për vitin 2011-të, vendi ynë është shpallur si destinacioni kryesor i planetit dhe kjo përbën lajmin më pozitiv që qytetarët e botës kanë marrë ndonjëherë. Të shpallësh Shqipërinë destinacionin kryesor, kur 6 vjet më parë nuk ka ekzistuar në hartën turistike të botës, do të thotë të kapërcesh ylberin në sensin modern të konceptit”- tha kryeministri. Duke folur për ekonominë, Berisha e cilësoi ekonominë shqiptare si Levën e Arkimendit për të arritur Shqipërinë Evropiane, duke bërë një panoramë në shifra të inevstimeve të kryera në rrugë, shkolla, kanalizime. Por, z.Berisha vendosi në top-listën e reformave në ekonomi, atë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Shqipëria dixhitale, tha Berisha, është dhe një nga arritjet më madhore të vitit që lamë pas. “Ndër zhvillimet kulmore që kemi patur në rrugën tonë, është ajo e Shqipërisë dixhitale. Vendi që hyri në 2006-ën me nivelin më të ulët të përdorimit të internetit, sot është afër me standardet europiane të përdorimit të tij”, është shprehur kryeministri. Gjithashtu, kryeministri Berisha ftoi sërish opozitën të bëhet pjesë e axhendës së integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2011-të, shefi i ekzekutivit ka ritheksuar se objektivi kryesor i qeverisë për këtë vit mbetet anëtarësimi i vendit në BE dhe theksoi se axhenda e integrimit nuk do të pengohet nga asgjë. “Ftoj opozitën të bashkëpunojë për axhendën e integrimit që është mjaft e rëndësishme për shqiptarët”- tha më tej, kryeministri i vendit Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›