E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton ngritjen e grupeve të punës për vlerësimin e dëmeve të përmbytjeve

06-01-2011 / Gazeta 55

Qeveria miratoi sot ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut e përmbytjet në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Grupi i punës, në përbërje të të cilit do të jenë specialistë të fushave përkatëse, do të bëjë evidentim dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, për njësitë e qeverisjes vendore të prekura nga përmbytjet, në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës, të përfshirë në tri kategori:

Kategoria I. Evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në “objekte banimi” .

Kategoria II. Evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në ekonomi bujqësore, në blegtori, në objekte të prodhimi dhe të përpunimit agro-bujqësor, në makineri dhe pajisje, në rezervatet e rritjes së peshkut, në bimë dekorative, si dhe në objekte ndihmëse.

Kategoria III. Evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në objekte sociale.

Gati përllogaritja e dëmeve
Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës do të fillojë shumë shpejt në zonat ku uji është tërhequr nga grupet e përfaqësuesve të ministrive dhe pushtetit vendor. Zv/kryeministri Ilir Meta në mbledhjen e komitetit ndërministror te emergjencave civile të zhvilluar në Shkodër ka vënë theksin edhe në rëndësinë e riparimit të veprave të dëmtuara kryesit të ujësjellësave. “Janë marr disa vendime të rëndësishme për të rehabilituar të gjithë ujësjellësat e fshatrave. Është diskutuar lidhur edhe me vendimin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja dhe qeveria shumë shpejt do të miratojë vendimin përkatës për procedurat që do të ndiqen të cilat do të jenë mjaft transparente”- tha Ilir Meta, ministër i METE. Ndërsa Ministri i Bujqësisë Genc Ruli ka inspektuar argjinaturat e dëmtuara në komunën e Dajçit ku ka garantuar se qeveria do të investojë 20 deri në 25 milionë euro për të riparuar argjinaturat dhe pjesën tjetër të infrastrukturës që u dëmtuan nga përmbytjet. “Së pari, të mbyllen çarjet, të lartësohen argjinaturat. Në të njëjtën kohë paralelisht me të ne po ndërmarrim dhe një studim të madh, ku pa dyshim do të merren kompani të specializuara nga bota dhe do të përcaktojnë se kush do të jenë veprat mbrojtëse që do të kryejë shteti në vitet në vazhdim. Gjithë viti 2011 do të jetë viti i punës për rehabilitimin e argjinaturave dhe të gjitha veprave mbrojtëse të zonës së NënShkodrës”- u shpreh Genc Ruli, ministër i Bujqësisë.
Si zv/kryeministri Meta ashtu edhe ministri Ruli kanë theksuar rëndësinë që ka furnizimi i pandërprerë i banorëve në zonat e dëmtuara nga përmbytjet me ushqime por edhe me bazë ushqimore për bagëtitë duke qenë se të ardhurat kryesore të tyre janë nga blegtoria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›