Berisha: Gjatë ditëve të grevës s’pranova negociata, në respekt të protestës e ligjeve Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të grupit Parlamentar Demokrat

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të grupit Parlamentar Demokrat, foli rreth situatës aktuale politike dhe grevës së urisë së PS, duke thënë se gjatë kësaj periudhe nuk ka pranuar të negociojë. Ai theksoi se vendimi i tij përfundimtar ishte të respektojë kundërshtarët që kishin zgjedhur oborrin e kryeministrisë për të protestuar. Kreu i ekzekutivit theksoi se për asnjë moment nuk i lejoi vetes ndërhyrjen më të vogël në vendimin e drejtuesve të opozitës. “Gjatë atyre ditëve u bënë përpjekje të shumta e shumëllojta për të bërë zgjidhje të negociueshme. Unë kam qenë i hapur për negociata, në atë periudhë nuk pranova asnjë emisar, asnjë ndërmjetës të vullnetit të mirë. E bëra këtë jo se nuk vlerësoja qëllimin e mirë të tyre, por sepse kisha vendosur në emër të interesave të mëdha të respektoja protestën, por edhe ligjet e vendimit tim dhe shtetin ligjor”, u shpreh Berisha. Duke vijuar më tej, ai tha se në ditën e fundit të kampingut më mori në telefon nga Brukseli ku u njoftua se kryetarët e PPE dhe PSE në PE do dërgonin një ftesë atij dhe zotit Rama për të diskutuar. Sipas tij, nuk kishte asnjë kusht tjetër veç faktit se për grevën nuk mund të diskutonte. Duke folur rreth çështjes së negociatave, Kryeministri propozoi që opozita të ketë shumicën dhe kryetarin në komisionin hetimor. Ndërsa, ai theksoi se mazhoranca është e gatshme për hetim të materialeve të votimit. “Jemi gati për hetim të materialeve të votimit, pas asnjë paragjykim me kusht të vetëm se asnjë deputeti nuk mund t'i them të shqyrtojë të gjithë materialet. Më duhen 2 vjet të shqyrtoj listat e Tiranës. Ndaj të punojmë me mostra, të gjejmë formulën e t'i përzgjedhim”, sugjeroi lideri i mazhorancës, Sali Berisha.