E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-He Ping: Bashkëpunim në fushën e informacionit

Qeveria shqiptare është e vendosur të zhvillojë më tej marrëdhënie më të mira e më miqësore me Republikën Popullore të Kinës, sikundër dhe kompanitë kineze, janë të mirëpritura të investojnë në projektetet në vend. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha, gjatë takimit të mbajtur sot me kryeredaktorin e agjencisë kineze të informacionit XinHua, z. He Ping, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
 

Kryeministri Berisha e konsideroi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në fushën e informacionit dhe e vlerësoi si një mundësi më shumë për njohjen me zhvillimet midis dy vendeve. “Vendet tona, u shpreh kryeministri, janë të përfshira në procese të mëdha transformimi dhe bashkëpunimi i gjithanshëm është me interes shumë të madh".
 

Në këtë takim, kryeministri e njohu z. He Ping me zhvillimet e mëdha që ka njohur Shqipëria në pesë vitet e fundit në infrastrukturë, në dixhitalizimin e shërbimeve, shtrirjen shërbimit të internetit në çdo shkollë, etj. Duke e njohur atë me transformimin që ka sjellë në gjeopolitikën e rajonit ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës, ç`ka ka nxjerrë në pah rëndësinë e porteve shqiptare, kryeministri u shpreh se kompanitë kineze janë të mirëpritura për të investuar në to.
 

Kryeministri Berisha u ndal në potencialet e mëdha hidrike, turistike, minerare, që ofron Shqipëria dhe në këtë kuadër, ftoi biznesin e madh kinez të përfitojë prej tyre. Në këtë kontekst, Berisha u ndal në klimën tepër favorizuese që ekziston në Shqipëri për zhvillimin e biznesit dhe investimeve.
 

“Pas reformave të thella e të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, koha e regjistrimit të biznesit është shkurtuar nga 40 ditë në 30 minuta dhe me vetëm 1 euro, duke e renditur vendin, 27 përqind më lartë se vendet e OECD-së për regjistrimin e biznesit” tha më tej kryeministri.
 

z. He Ping nënvizoi se kjo vizitë do të jetë një kontribut i mëtejshëm jo vetëm për forcimin e këtyre marrëdhënieve, por edhe për të shtuar bashkëpunimin me institucionet informative në Shqipëri, siç është Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›