“Tirana”, Topi: Institucionet të flasin sipas statusit ligjor

"Jemi në pritje të vendimit të institucioneve të ligjit, ato duhet të flasin duke pasur në kosnideratë statusin e tyre ligjore dhe moral". Kështu është shprehur presidenti i Bamit Topi nga Vlora për situatën pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Gjithashtu presidenti Topi ka ritheksuar se integrimi në Bashkimin Europian mbetet një sfidë për vendin ndërsa shtoi se për këtë duhet të përmbushen të gjitha kriteret.
Kreu i shtetit ka qenë i pranishëm sot gjatë stërvitjes ushtarake Shqipëri-Britani e shoqëruar edhe nga nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekuilam, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës Kornelis Van den Dol, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Admirali i Forcave Detare Kudret Çela, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, etj.
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes Arben Imami theksoi rëndësinë e zhvillimit të takimit të Ministrave të Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut, si një tregues domethënës të bashkëpunimit për transformimin e rajonit të Ballkanit në një model të fqinjësisë së mirë, paqes, dhe zhvillimit ekonomik.
Ndërkohe, gjatë komunikimit me pjesëtarë të bordit të anijes, Presidenti i Republikës është njohur me disa prej detajeve të rëndësishme ushtarake dhe të përgatitjes profesionale të tyre. Kryetari i Shtetit shprehu vlerësim dhe mirënjohje për angazhimin e tyre të lartë, duke theksuar bindjen se bashkëpunime të tilla i shërbejnë rritjes profesionale dhe konsolidimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, të cilat tashmë denjësisht qëndrojnë krahë homologeve të tyre në vendet anëtare të NATO-s.