E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hedhurinat e së shkuarës s’do ndalin hapin drejt BE-së



Një ditë kurajoje, falë sakrificës së studentëve dhjetoristë, të cilët mundën t’i shënojnë lirisë shqiptare ditën e lindjes, atë të 8 dhjetorit 1990. Lideri i PD-së, Sali Berisha, këtë datë e shpalli mbrëmë festë kombëtare para mijëra qytetarëve që kishin mbushur sheshin “Skënderbej”. Ngjitja e tij në podiumin e ndriçuar nga projektorët dhe mbuluar nga fishekzjarret pa fund në qiell, ndezi atmosferën festive në shesh. Para tyre nuk kishte si të mos kujtonte kontributin e pazëvendësueshëm të tribunit të demokracisë, Azem Hajdari. Kryeministri i ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e projektit të madh të Shqipërisë evropiane. Ndërsa përshëndeti të pranishmit në sheshin “Skënderbej” për Ditën e Rinisë, që ai e quajti ditëlindjen e shembjes së bllokut të hekurt të diktaturës dhe shembjes së murit të Berlinit në Shqipëri, Kryeministri Berisha përsëriti disa herë thirrjen për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në rrugën evropiane të vendit. Në fjalimin e tij në mitingun e jashtëzakonshëm në shesh, jo vetëm për nga pjesëmarrja, Kryeministri fillimisht përmendi se në 8 dhjetor të vitit ’90 Shqipëria e bllokmenëve mizorë numëronte burgjeve, të burgosur, të internuar, të pushkatuar më shumë se të gjitha vendet ish-komuniste, satelite të Bashkimit Sovjetik të marra së bashku. “Ajo ishte vendi më i izoluar i planetit, vendi në të cilin edhe vitin e rënies së Murit të Berlinit në Gjermani, në sheshet dhe qytetet e tij vareshin poetë dhe disidentë, ekzekutoheshin në kufijtë e tij djemtë dhe vajzat shqiptare vetëm e vetëm sepse rendnin drejt lirisë. Deri në ditët më të vona tingëllonin për ne sa aktuale, aq dhe të kobshme, atë ditë dhjetori të vitit ‘90 vargjet kushtrim të Ndre Mjedës”, - tha z. Berisha. Mes thirrjeve pa fund të mijëra qytetarëve në shesh, Berisha përmendi: “Më 8 dhjetor të vitit ‘90 studentët e Universitetit të Tiranës me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdari, me një guxim legjendar, me kurajën mbinjerëzore do të përballeshin ne sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të vendit me diktaturën me mizore të Evropës, nga një betejë si ajo e Davidit me Golian dhe do të ngadhënjenin mbi të, do të hapnin, do të shkallmonin dyert e mbyllura të lirisë për ne dhe mbarë shqiptarët”. Z. Berisha kujtoi disa nga momentet e rëndësishme që ka përjetuar vendi vitet e fundit. Ai vuri në dukje se ky është përvjetori i parë i lëvizjes studentore që kujtohet në një kohë kur vendi është anëtar i NATO-s. “Bashkë me NATO-n, 2009-a shënoi dhe hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, sikundër është shqyrtimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Gjithçka u realizua falë reformave të thella që transformuan vendin, si dhe luftës pa tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit.

Në vijim, ai atakoi indirekt shefin e opozitës, Edi Rama, dhe përkrahësit e tij: “Hedhurinat e të shkuarës, të bllokmenëve të rinj s’do mund të ndalin kurrë vrapin tonë drejt të ardhmes që meritojmë. Thirrja jonë vëllazërore në sheshin “Skënderbej” për çdo shqiptar është eja me ne të vrapojmë drejt të ardhmes që meritojmë”. Këtu Berisha bëri thirrje: “Shqiptarët të bashkohen me ne për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri në Evropë”, - dhe shtoi: “Sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale është mafies do t’i tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij, kurse plehrave të bllokut në koshin e historisë që meritojnë”. Kurse më tej, premtoi se afrimi me Evropën do të jetë më afër se kurrë, duke siguruar se shumë shpejt Shqipëria do të fshijë kufijtë me Evropën. “8 dhjetori është dita e marshit të lirisë sonë drejt Evropës, drejt anëtarësimit të plotë në BE, drejt fluturimit tonë pa viza në hapësirën e pafundme evropiane. Për ne, studentet dhe studentët, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që shembën perden e hekurt, që shembën bllokun barbar të tiranisë, pasi u rikthyem në pushtet, shembëm murin e krimit dhe të korrupsionit, zhbllokuam integrimin e Shqipërisë në Evropë, firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pranimin e kërkesës sonë për anëtarësim në BE”, - u shpreh z. Berisha. “Sot, - vuri ai në dukje, - ne jemi shumë, jemi më shumë se kurrë më parë, ne së bashku do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e ëndrrës sonë biblike, Shqipërinë zonjë midis zonjave në Evropë, ndaj dhe nga ky shesh, së bashku me ju, le të ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me ne, të bashkohet me uraganin tonë të integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë”, - theksoi Kryeministri Sali Berisha. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në miting, Berisha vuri në dukje se askush nuk do të mund të zbehë dritën e lirisë që lindi në rrugët dhe sheshet e Tiranës më 8 dhjetor '90. Ai iu drejtua me një urim të përzemërt qindra e mijëra vajzave e djemve që ishin në shesh, por dhe mbarë Shqipërisë, ata që lindën pas dhjetorit '90 dhe që janë gjenerata jonë e parë, e lirë në historinë e kombit tonë. Ata do të kenë një të ardhme evropiane. Kryeministri kujtoi të gjithë ata të rinj e të reja, burra dhe gra, intelektualë, studentë të fillimit të viteve ‘90, të cilët me guximin dhe vendosmërinë e tyre kërkuan kthimin e syve të Shqipërisë drejt Evropës dhe shembën perden e hekurt që mbajti vendin të shtrënguar për dekada me radhë.

"Bashkë do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e ëndrrës sonë. Ju ftojmë të bashkohemi në uraganin tonë të integrimit të plotë të Shqipërisë. Së shpejti do t'i fshijmë kufijtë dhe do të lëvizim pa viza në Evropë", - premtoi Kryeministri. Në këtë ditë të shpallur festive, Kryeministri u ndal edhe tek kupola mafioze, duke garantuar: “Atyre, që me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë në rrugën tonë, u themi se do të veprojmë me ligj, kurse plehrat e Bllokut do t'i hedhim në koshin e historisë”.

PD, Mëhilli, Ramës: Dëno krimet e Kristaqit

PD-ja i kërkoi dje kryesocialistit Edi Rama që t’i kërkojë falje publike familjes së Havzi Nelës, i varur në litar nga firma e të atit, Kristaq Rama. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, përmes një deklarate për shtyp, i kërkoi t’i dënojë krimet e të atit. “Pas familjarëve të të ndjerit Havzi Nela, dje edhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë i kërkoi Edvin Ramës të kërkojë ndjesë publike për krimet e të atit dhe t’i dënojë ato publikisht. Po dje, një numër i konsiderueshëm shoqatash të mbrojtjes së të drejtave të grave dhe fëmijëve, në një protestë paqësore para Bashkisë së Tiranës, i kërkuan Edvin Ramës të kërkojë ndjesë publike për dhunën dhe qëndrimin e tij çnjerëzor ndaj njerëzve të familjes së tij, që siç faktohet nga dosja gjyqësore e botuar nga ndihmësi i tij kryesor aktual, Ymer Baze, Rama i ka mohuar për 9 vite me radhë jo vetëm atësinë, por edhe kafshatën e gojës djalit të tij, si dhe ka rrahur, dhunuar e bërë për spital bashkëshorten e tij”, - tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Sipas saj, të gjitha këto Edvin Kristaq Rama mendon se do t’i kalojë në heshtje dhe, me sa duket, nuk gjen asnjë forcë për të shprehur pendesën më minimale e për të kërkuar ndjesë publike për aktet e tij të shëmtuara. “Rama, aktet e tua të pashembullta çnjerëzore nuk do të mund të kalohen apo mbulohen kurrë me shpifje apo trillime të ulëta për të tjerët”, - përfundoi Mëhilli.

Një vajzë 19-vjeçare, simbolika e 19 viteve pluralizëm

Një vajzë 19-vjeçare u zgjodh dje nga demokratët, për moshën e saj si simbolikë për të kujtuar plot 19 vjet pluralizëm politik. Plot jetë dhe dritë, u shfaq ajo para mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë, që kishin mbushur mbrëmë sheshin qendror të kryeqytetit. Në moshën e saj ishin ata djem dhe vajza kur 19 vjet më parë u ngiten dhe protestuan, duke u kthyer në tmerrin më të madh të diktaturës 50-vjeçare. Me guximin e tyre, ata mundën të sjellën lirinë shqiptare dhe 8 Dhjetori është dita që shënoi rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Mitingu festiv në shesh filloi me fjalimin e deputetes Mesila Doda si përfaqësuese e Lëvizjes Studentore ‘90, fjalimin e ministrit Dritan Prifti në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, fill pas tyre shfaqja e vajzës 19-vjeçare në podium dhe më pas përshëndetja e liderit të PD-së, Sali Berisha, për ta mbyllur festën me muzikë.

8 Dhjetori, Prifti: Demokratë e socialistë janë bashkë

LSI, një forcë politike që vjen nga spektri i majtë dhe bashkëqeveris me demokratët, ka bindjen e plotë se demokratë dhe socialistë janë bashkë kur bëhet fjalë për festën e 8 Dhjetorit. Në festën e realizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, në përkujtim të 8 Dhjetorit 1990, mori pjesë edhe deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Dritan Prifti. Deputeti i LSI-së e cilësoi këtë ngjarje si festën më të rëndësishme të shqiptarëve pas festës së Pavarësisë dhe Çlirimit. “8 Dhjetori, ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët. Pas festës së Pavarësisë dhe Çlirimit, kjo është festa më e madhe”, - u shpreh Prifti. Deputeti i LSI-së theksoi më tej se edhe në këtë ditë të shënuar demokratët e socialistët janë të bashkuar, për ta çuar Shqipërinë përpara. “Pa këtë festë nuk do të kishim Shqipëri në NATO. Nuk do të kishim zhvillimin që ka marrë Shqipëria në këto vite. Demokratë e socialistë janë bashkuar sot për ta çuar Shqipërinë më përpara”, - u shpreh ministri i Ekonomisë, përfaqësues i LSI-së, z. Dritan Prifti.

Selami: Progresi po afron Shqipërinë me BE-në

Me bindjen se Shqipëria po i afrohet familjes evropiane, ish-kryetari i PD-së, Eduart Selami, vlerëson progresin e arritur nga Shqipëria përgjatë viteve të fundit. Kryetari i parë i Partisë Demokratike, Eduart Selami, duke komentuar situatën politike në Shqipëri, vlerësoi se në demokraci është i domosdoshëm si roli i mazhorancës, ashtu edhe ai i opozitës. Sipas tij, tensionimi i situatës minon arritjet e demokracisë, në të cilën ka vend edhe për opozitën. “Klasa politike shqiptare duhet ta ketë parasysh këtë dhe duhet të bashkëpunojë”, - ka deklaruar Selami në një interviste për VOA-n. Ish-kryetari i PD-së dhe bashkëthemelues i saj, Eduart Selami, vuri në dukje se Shqipëria në 20 vite pluralizëm ka arritur shumë progres, por gjatë kësaj rruge ka pasur edhe disa aksidente që duhet të shmangeshin. “Pavarësisht nga acarimet, në përgjithësi Shqipëria ka ecur në rrugë të drejtë, me përjashtim të disa incidenteve që duheshin evituar. Megjithatë, unë mendoj se Shqipëria po i afrohet familjes evropiane”, - pohoi z. Selami. Më tej, i pyetur për 8 Dhjetorin, që konsiderohet si dita e rrëzimit të regjimit komunist, ish-kryetari i PD-së u shpreh se ajo është dita më e rëndësishme për Shqipërinë. “8 Dhjetori është një nga momentet më emocionuese të miat, por edhe më progresive të Shqipërisë, jo vetëm sepse ra diktatura komuniste, por sepse u kalua drejt prirjeve perëndimore. Kjo ngjarje me të drejtë do të mbahet mend si ngjarja më e rëndësishme e Shqipërisë”, - theksoi z. Eduart Selami.

Grupimi Dhjetor ’90: Ne ishim të privilegjuarit e kohës

Koha i privilegjoi duke u dhënë fatin e madh të shndërroheshin në protagonistë të ngjarjes më të rëndësishme për Shqipërinë, rrëzimin e diktaturës. Kryetari i grupimit “Dhjetor ‘90” Bislim Ahmetaj, uroi dje mbarë shqiptarët për festën e 8 Dhjetorit, ditës simbol që shembi diktaturën e egër komuniste. Duke sjellë kujtime të atyre ditëve që bënë histori për Shqipërinë dhe shqiptarët, z. Ahmetaj vuri në dukje se brezi i tij studentor, i cili pati privilegjin dhe njëkohësisht përkushtimin që të ishte protagonist i atyre ngjarjeve epokale, që janë të rralla në historinë e kombeve, ndihet përditë dhe më krenar për dhuratën e çmuar që u dha bashkëvendësve në dhjetor të ‘90-s. “Po ashtu, ndihemi krenarë që ishim përkrah liderit të asaj lëvizjeje, të përjetshmit Azem Hajdari. Sot pas gati dy dekadave, është e vërtetë se ëndrrat tona, idealet e asaj lëvizjeje nganjëherë janë gjuajtur me gurë, nganjëherë janë gjuajtur edhe me plumba, por është po kaq e vërtetë se askush s’ka mundur t’i vrasë dhe shumica e tyre janë bërë reale të prekshme për shumicën e shqiptarëve. Ata, vrasësit e ëndrrave dhe idealeve të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, shfaqen sa herë që Perëndimi hap dyert e veta për Shqipërinë tonë të vuajtur”, - tha z. Ahmetaj. “Por, - shtoi ai, - besoj se janë më të forta vlerat dhe idealet e asaj lëvizjeje se hijet e zeza që flejnë në ndërgjegjen e atyre që e zhytën Shqipërinë në diktaturë apo në ngjarjet e mars-qershorit ‘97. Unë kam bindje të thellë se Shqipëria do të dijë ta zërë vendin që i takon në sofrën e vendeve evropiane. Ky është edhe stacioni i fundit i ëndrrave të lëvizjes studentore, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, - tha z. Ahmetaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›