E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i BE-së: Dialog konstruktiv në Kuvend



Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u ribënë thirrje partive politike të Shqipërisë që të dialogojnë në Kuvend. Përmes një deklarate të lëshuar dje, është përsëritur mesazhi i BE-së për politikën shqiptare, duke kërkuar që të ketë një dialog konstruktiv vetëm në Parlament. “BE-ja kërkon nga të gjitha partitë politike në Shqipëri të vazhdojnë një dialog konstruktiv politik, duke u përfshirë në Parlament”, - thuhet në qëndrimin e dalë pas takimit të shefave të diplomacive të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, në konferencën për shtyp, ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, deklaroi se palët duhet të ulen për të zgjidhur mosmarrëveshjet. “Për sa i takon gjendjes së dialogut politik në Shqipëri, situata është e errët për momentin. Unë do t'u bëja apel liderëve në Shqipëri që të pranojnë se për ta çuar këtë vend përpara, ata duhet të ulen. Mund të mos bien dakord ndonjëherë, por duhet marrëveshje për të çuar vendin përpara. Dhe këtë mesazh mendoj se e gjeni në këto konkluzione, mesazhin që nëse ata duan të vijnë në Bruksel, nëse ata duan të jenë pjesë e Evropës, Evropa ka dialog mes liderëve politikë, edhe në raste mosmarrëveshjesh. Ne shpresojmë se Shqipëria do t'i bashkëngjitet kësaj tradite sa më shpejt të jetë e mundur”, - deklaroi Bildt.

Liberalizimi i vizave

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së njohu progresin e bërë nga qeveria për liberalizimin e vizave. Ministri Bildt tha në konferencën për shtyp se ky proces do të kurorëzohet vitin e ardhshëm edhe për Shqipërinë e Bosnjën. Më tej, në deklaratën e përbashkët thuhej se “Këshilli mirëpret progresin e arritur në disa fusha, veçanërisht në reformën zgjedhore dhe nisjen e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. “Zgjedhjet parlamentare i përmbushin pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, por patën disa të meta të nxjerra në pah nga ODIHR-i, të cilat duhet të përmirësohen gjatë rrugës”, - thuhej më tej në deklaratë. Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë theksuar edhe sfidat që kanë institucionet në vend. “Forcimi i sundimit të ligjit dhe veçanërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe funksionimi i duhur i institucioneve shtetërore, në veçanti, pavarësia e gjyqësorit, mbeten sfidat urgjente për Shqipërinë”. Po ashtu, kërkohet “forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative dhe nevojitet të garantohet pavarësia e administratës”. “Përpjekje më të mëdha duhet të bëhen në përmirësimin e kushteve për lirinë e medias”, - thotë deklarata, e cila vlerëson reformat e bëra nga qeveria shqiptare në kuadrin e dialogut për liberalizimin e vizave.

Këshilli i kërkoi Komisionit që në muajin nëntor të përgatisë opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. “Aplikimi do të vlerësohet në bazë të parimeve të Traktatit të Lisbonës dhe kritereve të përcaktuara nga Këshilli Evropian i Kopengagenit në vitin 1993, si dhe nga konkluzionet e Këshillit Evropian të dhjetorit të vitit 2006 për konsensusin e arritur rreth zgjerimit”, - thekson deklarata që merret me marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Brukselin. Së fundi, “Këshilli thotë se ka pranuar të shqyrtojë kërkesën atëherë kur Komisioni Evropian do të paraqesë opinionin e tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›