Mitingu më madhështor, PD mbledh gjysmë milioni njerëz në shesh
Ecën drejt dritës... E ndoqën nga pas deri në rrezen më të shndritshme, atë të lirisë. Nga guximi i çastit që doli prej konvikteve të Qytetit Studenti, të rinjtë e qytezës së dijes, 19 vjet më parë u dhanë shqiptarëve lirinë e munguar për 50 vite diktaturë. Ndaj Shqipëria festoi mbrëmë në sheshin “Skënderbej”, ndriçimin që ndezën ata djem dhe vajza, as 20-vjeçarë, në ditët e ftohta të dhjetorit ’90. Afro gjysmë milioni njerëz u mblodhën dhe festuan Ditën e Rinisë. Një miting nga më madhështorët në historinë pluraliste. Ngado flamujt kombëtarë, ata të PD-së dhe BE-së, bashkë me fishekëzjarret e pafund, banderolat e shumta dhe pankartat ku shkruhej “Shqipëria Evropiane”. Sheshi qendror i kryeqytetit u “përmbyt” nga vala e madhe e njerëzve, sepse festa nuk i takon vetëm Tiranës, por mbarë vendit. Një miting i jashtëzakonshëm në vigjilje të shembjes së murit shqiptar të diktaturës, sepse shqiptarët janë përkrahësit e PD-së, të asaj force politike që pasi i bëri anëtarë me të drejta në plota në NATO, u siguron heqjen e vizave, fshirjen e kufijve me BE-në dhe integrimin e shpejtë në familjen evropiane. E paralajmëruar si një festë mbarëkombëtare, “Shqipëria Evropiane”, “Ëndrra që ne bëjmë realitet”, “Kosova dhe Shqipëria janë një” ishin banderolat e vendosura përgjatë të gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të cilat i dhanë një atmosferë festive kësaj dite të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Përpara monumentit të Skënderbeut u instaluan tre monitorë të mëdhenj, të cilët, nga një skenë e improvizuar pritën Kryeministrin e vendi, Sali Berisha, por njëherësh edhe shumë këngëtarë dhe grupe të muzikës moderne dhe alternative, duke i dhënë kësaj dite më shumë ngjyrim feste, sesa një mitingu politik. Mes tyre edhe ata djem dhe vajza që u ngritën atë dhjetor të ‘90-s për t’i thënë: “Ndal diktaturës”. Pa dyshim vendin kryesor në këtë manifestim e zuri mesazhi që lideri demokrat Sali Berisha përcolli tek çdo pjesëmarrës në miting dhe çdo familje shqiptare. Mitingut simbol nuk i munguan as zërat e muzikës shqip. Nuk munguan as tingujt e muzikës dhe artistët më të mirë të saj brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë. Grupi shqiptar nga Tetova, Elita 5, i cili e ndoqi Kryeministrin Berisha gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ndezën atmosferën dhe bënë që nën tingujt e muzikës së tyre qytetarët të këndojnë dhe të kërcejnë në shesh. Pjesë e këtij festimi u bë dhe grupi i njohur nga Finlanda, Sunrise Avenue, të cilin të pranishmit e shumtë e shoqëruan gjatë interpretimit në podiumin plotë dritë të demokratëve. Mitingu i mbrëmshëm në sheshin “Skënderbej” u organizua nga Partia Demokratike dhe qeveria me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, e cila përkujton protestat e Lëvizjes Studentore të vitit '90, që shënuan edhe rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe ardhjen e demokracisë. Nën moton “T’i themi po Evropës” apo “Shqipëria Evropiane”, mazhoranca qeverisëse zgjodhi pikërisht sheshin “Skënderbej” për të festuar Ditën e Rinisë, si simbol të shembjes së Murit të Berlinit në Shqipëri dhe fillimin e pluralizmit.