Berisha Heqim dore nga manifestimi

“Mitingu i të shtunës nuk do të bëhet dhe kjo është një kërkesë logjike e partnerëve tonë. Ai ka pasur një qëllim kundër dhunës. Ky qëllim mund të keqkuptohej si një demonstrim muskujsh. E parë nga jashtë krijohet ideja se është një shprehje dëshmie për force, por forcën e kemi tek rendi dhe institucionet”, u shpreh Berisha.
Ai ka theksuar se do të respektojë institucionet në hetimin e demonstratës së 21 janarit, por ka akuzuar sërish prokuroren e përgjithshme se ka mohuar padinë e bërë nga policia e shtetit.
“E ftoj (prokuroren e përgjithshme) të vazhdojë hetimin, por se çfarë u thotë shqiptarëve ajo kur i gënjen publikisht se nuk ka padi ndaj atyre që i kanë vënë institucioneve zjarrin, ajo qoftë. Dje dokumenti është bërë publik dhe duhet t’u jepet të gjitha mediave. Është një akt i hollësishëm që përfshin të gjithë organizatorët. Asnjë mos ta marrë si një sulm ndaj institucionit të Prokurorisë, por si një transparencë e domosdoshme. Komisioni hetimor parlamentar nis punën dhe ai do të shqyrtojë vepritarinë e çdo institucioni në hetim”, tha Berisha.
“Duke respektuar institucionet do të behët një hetim i gjithanshëm. Askërkujt nuk do t’i ndërhyjmë dhe pengojmë, por do të ndihmojmë në zbatimin e ligjit. Por nëse ajo bën mashtrime publike në një konferencë të rëndësishme shtypi, kjo nuk do të pranohet”, shtoi ai.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se duhet të caktohet një fond i veçantë për kompensimin e të gjithë personave që sjellin informacione për “puçin”, e organizuar nga opozita.
“Duhet të caktohet një fond shpërblimi për çdo dëshmitar që do paraqesë dëshmi për puçin, financimin, organizmin, komandën dhe çdo gjë. Këto informacione i ftoj të gjithë ata që i kanë t’i çojnë në policinë kriminale dhe komisionin parlamentar dhe këta do i çojnë në policinë e shtetit. Kjo është e domosdoshme pasi në padinë kryesore të bërë nga policia e shtetit, prokurorja ka deklaruar se nuk ekziston. Komisioni parlamentar të caktoj të gjitha tarifat”, theksoi Berisha.
Ai ka paralajmëruar kreun e opozitës Edi Rama se një tentativë e dytë për të rrethuar institucionet, do të jetë me pasoja fatale për të.
“Një tentativë e dytë për të rrethuar institucion do të jetë fatele për askënd tjetër, përveç atij. Unë jam Sali Berisha dhe nuk hedh gurin dhe fsheh dorën. Çdokush do jetë i amnistuar, përveç atij. Shqiptarët nuk ta kanë borxh zjarrin. Protesto çdo ditë, do të lejohesh. Nesër do të kujtojë të shtatat. E bërë kjo nga partia është makabër, të shtatat i bën familja, miqtë dhe shokët”, deklaroi Berisha.