Berisha: Hetim krimeve të diktaturës komuniste- do rishikohet ligji për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë
Kryeministri Sali Berisha prit sot, në një takim, përfaqësues të shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë, të kryesuar nga kryetari i kësaj shoqate, zoti Simon Miraka.
Zoti Miraka, në emër të shoqatës e falënderoi kryeministrin Berisha për angazhimin e tij personal, në trajtimin me dinjitet të kësaj shtrese shoqërore, për te përmbyllur me shpejtësi procesin e dëmshpërblimit.
Gjatë këtij takimi ata i paraqitën kryeministrit Berisha disa kërkesa, bazuar në rezolutën e vitit 2006 të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të regjimit komunist”. Kështu, të përndjekurit kërkuan përshpejtimin e punës te komisionit parlamentar për hetimin krimeve të komunizmit, rishikimin e ligjit të lustracionit, bërjen publike dhe hapjen e dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, rishikimin teksteve shkollore që trajtojnë historinë, ngritjen e një muzeu të mirëfilltë për krimet e komunizmit, si dhe ngritjen e një memoriali në nder të viktimave të komunizmit”.
Gjithashtu të përndjekurit kërkuan që Shqipëria t’i bashkohet disa vendeve evropiane në kërkesën drejtuar BE për dënimin e krimeve të regjimeve totalitare.
Përfaqësuesit e përndjekurve kërkuan rishikimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, me qëllim përfshirjen e disa rasteve të cilat kanë qenë të patrajtuara më parë; siç janë të pushkatuarit pa gjyq apo dhe të pushkatuarit para vitit 1944, rastet ku dokumentacioni mungon, apo disa vepra të cilat nuk janë përfshirë në ligj.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar kontributin e të dënuarve politikë të regjimit komunist në promovimin e vlerave njerëzore, lirisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe zërin e fuqishëm në dënimin e krimeve të kryera nga regjimi i diktaturës, u shpreh se qeveria do të trajtojë me përparësi këto kërkesa, duke iu dhënë atyre përgjigjen më të drejtë.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo shtresë është dhe do të mbetet në vëmendjen e qeverisë me qëllim kthimin e nderit dhe të dinjitet të çdo ish të dënuari politik.
Berisha shprehu gatishmërinë që në bashkëpunim me shoqatën e të përndjekurve të rishikojë legjislacionin që përmirëson dhe përshpejton trajtimin me përparësi të tyre.