E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Himni të kthehet i plotë, të shtohet strofa për Zotin

Kryeministri Berisha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë vlerësoi se marrja e statusit të vendit kandidat ka një rëndësi të veçantë në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kryefjala e shefit të Qeverisë ishte koncepti i unitetit, i cili do të shoqërojë edhe festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, duke kërkuar respekt për figurat e shquara dhe të rënët për pavarësinë e kombit si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Berisha shtoi se duhet rikonceptuar sakrifica kombëtare dhe nuk duhet ndrydhur në banesën e harresës apo të mbetet lokale. Në këtë kontekst Berisha, kërkoi ngritjen e një monumenti kushtuar dëshmorëve të Kombit, që ranë në Kosovë në Luftën Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën, sipas tij, Pavarësinë do ta festonim si një trup gjysmë i paralizuar. “Nuk ka një memorial kushtuar dëshmorëve të kombit që ranë në Kosovë. Nuk ka një memorial kjo luftë, e cila ishte një luftë që e bashkoi kombin për të përballuar spastrimin etnik dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe kjo duhet të bëhet element monumental”, tha Berisha. Kryeministri gjithashtu tha se është dakord me propozimin që Himni Kombëtar të kthehet në formën e tij të plotë. “Apeli i shqiptarëve tek zoti është apeli më i drejtë. Sepse zoti dhe kombi janë një, të pandarë, në sensin që dashuria për kombin dhe vendin buron nga fryma e zotit. Të shihen të gjitha modalitetet se si të kthehet kjo strofë e përzënë nga ateistët dhe të bisedohet me akademinë, institutin, që himni të kthehet në variantin e tij të plotë, ashtu siç e shkroi rilindësi Aleksandër Stavre Drenova”, tha kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›