Berisha: Hiqni toponimet e huaja. Milo: Diktaturë
TIRANË - Qeveria Shqiptare angazhohet të heqë nga përdorimi i përditshëm të gjithë fjalorin e huaj që lidhet me emërtimet e njësive vendore, siç janë fshatrat, qytetet, apo edhe të vendeve të ndryshme. Pasi vendosi disa javë më parë që të vërë masa të rënda shtrënguese për të gjitha ato aktivitete private, që përdorin tabela apo reklama në gjuhë të huaj, dje, shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka paralajmëruar një nismë të re në këtë linjë, por që kësaj radhë ka të bëjë me ndryshimin e të gjitha toponimeve të huaja, ç'ka duket se do të prekë edhe vendlindjen e tij, "Viçitol", që është po ashtu një emërtim sllav.
Berisha
Deklarata e Kryeministrit Sali Berisha është bërë dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ku ndër të tjera ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme për të bërë të mundur rikthimin e emërtimeve të mëparshme shqiptare për të gjitha ato vende që sot mbajnë emra të imponuar nga të huajt, që gjatë historisë kanë pushtuar vendin tonë. Shkas për hapjen e këtij debati ka qenë pikërisht propozimi që i kishte ardhur Këshillit të Ministrave për të miratuar një shkollë jopublike me emrin "Logos". Por, pikërisht një emërtim i tillë i huaj ka bërë që Kryeministri të vendosë veton dhe të mos e miratojë atë dhe ndërkohë të deklarojë se është kundra një gjëje të tillë, jo vetëm kur bëhet fjalë për institucione private, por edhe për rastet që kanë të bëjnë me emërtesat e njësive vendore. Për të bërë të mundur këtë, ai ka kërkuar ndihmën e drejtuesve të njësive vendore përkatëse, që të bëjnë evidentimin e rasteve dhe të paraqesin propozimet për ndryshimet e emrave në Kuvend. "Me gjithë respektin shumë të madh që kam për pronarët që investojnë në arsim, emërtimet duhet të jenë në gjuhën shqipe. Po ashtu, tabelat duhet të jenë me emra shqip. Do të kenë një taksë shumë të rëndë për ta mbajtur. Unë inkurajoj qeveritë vendore që të shohin toponimet që kanë mbetur që nga koha e Dushanit dhe kanë zëvendësuar ato që ne kemi pasur", - tha Berisha. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë fushatë konkrete dhe të shpejtë në kohë, por për një qëllim të qeverisjes së tij për t'u rikthyer qytetarëve të këtij vendi emrat e memories popullore. "Këtë nuk e kam aspak për ndonjë valë, por do të rikthejmë toponimet që kanë qenë tonat në mijëvjeçarë dhe janë në memorien e banorëve. Ne kemi emra shumë të mirë, si p.sh., Gruemirë apo Ujëmirë. Unë mendoj se është i domosdoshëm një shqyrtim tërësor nga qeveritë vendore, pasi ato e kanë të drejtën për to", - shtoi më tej Berisha.
Studimi
Ashtu si edhe në rastin e kërkesës së tij të hershme për të ndërhyrë dhe ndryshuar librat e historisë, kreu i qeverisë përsëri tenton të përcaktojë me urdhër politik emrat që kanë mbetur si pasojë e rrjedhave të historisë. Për këtë qëllim, ai ka ftuar që të kontribuojnë në këtë drejtim edhe studiuesit e historisë, të cilët, sipas tij, në bashkëpunim me komunitetet, do të duhet të gjejnë emrat e vjetër që kanë ekzistuar para se pushtimet të impononin këtë realitet që ekziston sot. "Toponimet janë një përzierje e trashëguar nga të gjitha kohërat, prandaj, në bashkëpunim me historianët, në bashkëpunim me të gjithë komunitetet, të hulumtojnë dhe të gjejnë emrat e bukur që kanë pasur", - tha Kryeministri. E në rast se një propozim i tillë bëhet realitet, një sërë emrash të njohur qytetesh apo fshatrash nuk do të kenë më emrat me të cilët njihen sot, por do t'u vendosen emrat e mëparshëm. Këtu mund të përmendin Çorovodën në Skrapar, Roskovecin në Fier, Sllova në Dibër, Viçitoli në Tropojë e shumë emra të tjerë. Ndryshimi i emrave të njësive vendore bëhet me vendim të Kuvendit, por gjithmonë pasi një gjë e tillë të jetë propozuar nga komuniteti dhe njësia e qeverisjes vendore.
Intervista / Historiani Paskal Milo, e konsideron propozimin e Berishës për ndryshimin e emrave, si rikthim në diktaturë
Toponimet, Milo: Berisha po na kthen në diktaturë
Profesor, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë se do të bëhet ndryshimi i emrave të huaj të njësive vendore. Në rolin jo vetëm të politikanit, por edhe të historianit, a keni një koment për një nismë të tillë?
Kryeministri vazhdimisht po na befason me ndërhyrjet dhe direktivat e tij në fushën e shkencave albanologjike, pra në historiografi, në toponomistikë dhe mjaft shkenca të tjera, të cilat kërkojnë vërtetë debat dhe profesionalizëm. Ajo që më bën përshtypje është se z. Berisha u është rikthyer politikave të kaluarës komuniste, kur me porosi të Enver Hoxhës, një numri fshatrash dhe vendesh të Shqipërisë iu ndryshuan emrat, sepse ato ishin të papajtueshme me ideologjinë komuniste dhe me ateizmin e regjimit. Tani, propozimi i z. Berisha është një version i ri i kësaj politike të vjetër dhe kërkon tashmë jo vetëm të shkruajë historinë bashkëkohore, sipas koncepteve dhe shijes së tij, por kërkon ta shtrijë atë thellë edhe në mesjetën e hershme dhe të mesme, kur Shqipëria, si mjaft kombe dhe popuj të tjerë të rajonit, ka përjetuar invazione dhe pushtime të përkohshme, dhjetëra apo qindra vjeçare. Po t'i hyjmë kësaj historie, atëherë ne duhet të zhbëjmë jo vetëm një pjesë të mirë të toponimisë aktuale shqiptare, por duhet t'i vëmë kazmën edhe fjalorit të gjuhës shqipe, ku siç dihet, ka një numër të madh fjalësh me prejardhje nga gjuhët e tjera, qoftë edhe të atyre popujve dhe kombeve që kanë ardhur si pushtues në Shqipëri.
E shihni të rastësishme një deklaratë të tillë, apo mos kemi të bëjmë me një qëndrim të mirëllogaritur të Kryeministrit?
Kjo më duket se është një mënyrë tjetër për t'iu shmangur problemeve themelore që ka Shqipëria dhe veçanërisht vendi, përballë detyrimeve serioze që duhen përmbushur në procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku një nga pikat dhe standardet kryesore është dhe respektimi i diversitetit kulturor, etnik dhe gjuhësor dhe i trashëgimisë historike që shpreh këtë diversitet.
Sa e mundur është për t'u zbatuar?
Më duket se kjo është pothuajse krejt e pamundur, sepse në kujtesën popullore, emrat, qofshin të vendeve apo të objekteve të ndryshme, nuk mund të ndryshohen me dekret qeveritar apo të një institucioni tjetër shtetëror.
Po në raport me BE-në, ku ne duhet të integrohemi, por edhe me vendet fqinje, si mund të ndikonte?
Një deklaratë e tillë kam përshtypje se do të ngjallë reagime fqinje dhe miq, të cilët këtë do ta shikojnë si një përpjekje indirekte për të eliminuar një pjesë të mirë të traditës historike dhe integruese rajonale.