E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja nuk do të njohë zgjedhjet

29/07/2009  Miratimi i rezolutës Rama i hapi rrugë pjesëmarrjes në Kuvendin e ri

Votimi në unanimitet la jashtë garës propozimet e grupit kundërshtar

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste i dha fitoren e parë kryetarit të kësaj partie duke miratuar rezolutën e propozuar prej tij. Kështu, gati në unanimitet anëtarët e këtij forumi miratuan pikat e një rezolute të tillë, duke rrëzuar propozimet e ardhura nga grupimi tjetër në këtë forum. Për rrjedhojë, bazuar në këtë rezolutë, PS-ja vendosi ti konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë bashkëkohore standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij. Njëkohësisht, ta vlerësojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit. Po kështu, sipas kësaj rezolute, PS-ja do të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për ti dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit. Por, votimi në unanimitet i rezolutës Rama, vetëm me 15 vota kundër, nuk i dha mundësinë rezolutës Blushi, e cila u prezantua në fillim të kësaj mbledhjeje nga anëtarja e këtij forumi, Mimoza Hafizi. Kjo rezolutë as më shumë e as më pak kërkoi nga lidershipi i Partisë Socialiste të njohë humbjen e këtyre zgjedhjeve, për pasojë rezultatin e tyre. Njëkohësisht, i mëshoi me forcë, pavarësisht se nuk u përqafua nga anëtarësia e këtij forumi, që të përgatitej një analizë e thelluar e humbjes dhe identifikimit të shkaqeve të rezultatit zgjedhor, por kërkoi dhe një bashkëpunim jo vetëm me aleatët, por dhe me partitë e tjera të spektrit të majtë, përfshi këtu edhe LSI-në.

Rezoluta Rama

PS-ja vlerëson rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit.

PS-ja e konsideron me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për ti dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.

Distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për ti imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor

Rezoluta Blushi

PS-ja angazhohet të përgatisë një analizë të thelluar të humbjes dhe të identifikimit të shkaqeve të rezultatit zgjedhor

Angazhohet dhe kërkon respektimin rigoroz të të gjithë rregullave statusore lidhur me përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve dhe funksionimin e institucioneve e të forumeve të partisë

Kërkon përgatitjen e një strategjie efikase për marrjen e nismave që synojnë përmirësimin dhe institucionalizimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me të gjithë aleatët e koalicionit, si dhe zgjerimin e tyre me aleatë të tjerë brenda dhe jashtë Kuvendit.

Qëndrimi i PS-së mbi zgjedhjet dhe rikandidimi i kryetarit aktual

Asambleja Kombëtare e ndarë mes Ramës dhe Blushit

Përplasje mendimesh dhe kundërshti mes anëtarëve të Asamblesë ishte atmosfera me të cilën mund të përmblidhet e gjithë mbledhja e djeshme e këtij forumi. Kështu, sikundër qe paralajmëruar, dje u mblodh Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste për të vënë piketat mbi qëndrimin e kësaj partie mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. E pikërisht është ky rezultat zgjedhor që mori kampi rozë, ai i cili ka ndezur prej ditësh debatin brenda radhëve socialiste, i cili me sa duket në këtë mbledhje vetëm sa u bë institucional, për të vijuar më tej dhe në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së. Për disa orë me radhë, anëtarët e këtij forumi dhanë qëndrimet e tyre, ku sikundër pritej të ndarë në dy grupime. Të radhitur mes Ramës dhe Blushit, socialistët shpalosën argumentet dhe kundërargumentet për qëndrimet e tyre. Kështu, secili grup përfaqësohej nga një rezolutë ku jepej qartë perceptimi mbi pozicionin e ardhshëm të Partisë Socialiste, si ndaj rezultatit zgjedhor, ashtu dhe ndaj zhvillimeve të reja brenda vetë kësaj partie, e kjo sa i takon drejtimit të saj. Qëndrimet bashkoheshin në një pikë, që lidhej me pjesëmarrjen e grupit parlamentar të PS-së në parlamentin e ri, por që ndaheshin në disa pika të tjera. Mes rezolutës së Ramës dhe asaj të Blushit ndasitë konsiston në pozicionin e PS-së ndaj zgjedhjeve, ku e para nuk i njeh ato dhe e dyta të kundërtën. Gjithashtu, kërkesa për bërjen e një analize të thelluar mbi humbjen ishte e përfshirë vetëm në rezolutën e Blushit. Në këtë mënyrë, referuar këtyre dy drafteve, përplasjet ishin deri diku të ashpra, e sidomos mbi pozicionin e kryetarit të PS-së. Anëtarët e asamblesë të etiketuar tashmë si kundërshtarë të kryetarit aktual Rama, i kërkuan këtij të fundit që të pranojë humbjen dhe të largohet nga posti i kreut, për të mos qenë më pjesë e drejtimit të saj. Ndërkohë që mbështetësit e Ramës, jo vetëm që mbrojtën rezolutën e tij, por iu kundërvunë mjaft ashpër kërkesës së ardhur nga ky grupim. Ka qenë deputeti i PS-së, Ben Blushi, ai i cili ka reaguar menjëherë pas fjalës së Ramës, duke kërkuar që tashmë PS-ja duhet të marrë frymë ndryshe dhe të shpjegojë edhe publikisht për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit për të gjithë votuesit shqiptarë që i besuan kësaj alternative. Gjithashtu, Blushi i ka kërkuar Ramës të flasë politikisht për të shpjeguar pse nuk u arrit një rezultat pozitiv në këto zgjedhje, për politikën e tij të re përtej të majtës dhe të djathtës, duke ironizuar në fund të fjalës së tij shprehjen e përdorur nga kreu aktual i PS-së, se është koha e burrave dhe jo e maskarenjve.

Debati

Largimi dhe moskandidimi i kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama, ishte një nga pikat e nxehta të debatit në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së. Edhe pse jo në mënyrë të hapur, kundërshtarët e Ramës i mëshuan fort idesë së një analize të thelluar, duke synuar në këtë mënyrë që indirekt, pas largimit të tij, nga pikëpamja morale e parimore kryetarit Rama të mos i lindë e drejta të rikandidojë.

Drejtimi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të vijojë të mbajë një post të tillë deri në zgjedhjen e kreut të ri. Në këtë mënyrë, pas dorëheqjes së tij, veprim i ndërmarrë dje, do të jetë kongresi ai që do të hapë zyrtarisht garën për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Megjithatë, mbetet për tu shënuar se miratimi i rezolutës së propozuar nga Rama dha edhe fitoren e parë të këtij të fundit.

Qëndrimi

Rezultati i marrë nga PS-ja në zgjedhjet parlamentare si dhe qëndrimi që do të mbajë kjo parti mbi të ishte një tjetër moment në të cilin anëtarët e Asamblesë Kombëtare nuk ranë dakord, pavarësisht se në fund miratimi i rezolutës Rama i dha të drejtë qëndrimit të këtij të fundit për të mos i njohur ato, pavarësisht pjesëmarrjes në Kuvend. Por objektivi kryesor mbetet dhe në vijim për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Asambleja thërret Kongresin e jashtëzakonshëm më 29 gusht për postin e kryetarit

Administrohen kandidaturat, ndër to Rama

Kreu socialist respektoi statutin e PS-së, lidhur me pozicionin e tij në parti

Partia Socialiste do të mbledhë kongresin e jashtëzakonshëm në fund të muajit gusht për të hapur garën për kreun e ri të kësaj partie. Një vendim i tillë u mor dje nga Asambleja Kombëtare e PS-së, e cila vendosi që të thërrasë forumin më të lartë vendimmarrës, pas propozimit të bërë nga vetë kreu aktual, Edi Rama. Kjo pasi ky i fundit duke zbatuar statutin e PS-së, i cili përcakton qartë pozicionin e kreut të partisë në rast të humbjes në zgjedhjet parlamentare, vendosi të respektojë ligjin themeltar të partisë që drejtoi për katër vite me radhë. Kështu, në një projekt propozim për Asamblenë Kombëtare, Rama i kërkoi këtij forumi të thërrasë kongresin e jashtëzakonshëm duke përfshirë në rend dite diskutimin dhe miratimin e qëndrimit të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Njëkohësisht si pikë të dytë të kësaj axhende është e përfshirë dhe zbatimi i kërkesave të neneve 26/3 dhe 28 pika 2/b e statutit të Partisë Socialiste. Në këtë mënyrë, nisur nga vetë propozimi i kreut Rama, por dhe miratimi i këtij projektvendimi nga Asambleja rezultoi që ky kongres të thirret në datën 29 gusht dhe do të zbatojë konkretisht Kushtetutën e partisë. Sipas pikave të kësaj Kushtetute, neni 28 pika 2/b mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet dhe ndërpritet para kohe nëse partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative. Në respektim të nenit 26/3 kur vendi i kryetarit të Partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditëve dhe thërret brenda 30 ditëve Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të Kryetarit të ri të Partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Në këtë mënyrë, tashmë edhe pse juridikisht do të jetë kongresi ai që do të zyrtarizojë largimin e Ramës, ky i fundit ka bërë publik një veprim të tillë, por ndërkohë do të qëndrojë të jetë kryetar në detyrë deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Partisë Socialiste, duke qenë dhe vetë ai një nga kandidaturat për këtë post.

Neni 26/3

Kur vendi i Kryetarit të Partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditëve dhe thërret brenda 30 ditëve Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri.

Neni 28/2/b

Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative. Po në statut nuk është e përcaktuar lejimi apo jo i rikandidimit të ish-kreut të partisë, pavarësisht arsyeve të largimit.

Shtyrja e kongresit

Shkak raporti i ODHIR-it

Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste që do të hapë në mënyrë zyrtare garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie u shty për shkak të raportit përfundimtar të ODHIR-it. Kështu, një kongres i tillë ishte ideuar të thirrej në datën 22 gusht, por duke u nisur nga vetë qëndrimi që PS ka mbi zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, preferoi të shtyjë një datë të tillë për të qenë në pritje të këtij raporti. Burime pranë selisë rozë bënë me dije, se thirrja në datën 29 e kongresit lidhet pikërisht me këtë moment. Mësohet se lidershipi i Partisë Socialiste po përgatit një draft të detajuar me të gjitha shkeljet dhe manipulimet e procesit zgjedhor, për tia nisur më pas një institucioni të tillë. Kështu, nëse drafti i socialistëve do të merrej parasysh nga ODHR-i do të sillte një vlerësim negativ për zgjedhjet e 28 qershorit nga faktori ndërkombëtar. Për këtë arsye, jo paqëllim që dhe PS është në pritje të këtij raporti, duke ia servirur dhe kongresit si një argument më tepër për të justifikuar qëndrimin e Partisë Socialiste, mbi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, ku sikundër u bë publik nuk do të njihen nga kjo parti, duke kërkuar dhe vendimin e forumit më të lartë vendimmarrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›