Berisha-Hysenit: Të studiohet fizibiliteti për ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Duke vlerësuar arritjet e mëdha të Kosovës, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se Kosova është shndërruar tashmë dhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. “Në këtë kontekst, zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe në veçanti, pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë nivelin e lartë të standardeve demokratike, të arritura në Kosovë”, tha Berisha. Ministri Hyseni e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi. Ai i shprehu urimet më të ngrohta e vëllazërore Kryeministrit Berisha për dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë një ngjarje historike e madhore për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar, një akt për të cilin jemi të gjithë krenar. Kreu i diplomacisë kosovare e informoi Kryeministrin Berisha për fillimin e punimeve për pjesën e rrugës së kombit që kalon në Kosovë dhe e falënderoi edhe një herë për kontributin e tij për realizimin e veprës madhore të kombit, rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Në takim u diskutua për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer e të gjithanshëm mes të të dy vendeve në të gjitha fushat, në veçanti për promovimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, në fushën e energjisë si dhe bashkëpunimit rajonal dhe në kuadër të integrimit evropian dhe atë euroatlantik. Kryeministri Berisha vlerësoi se është e rëndësishme që të dy vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë madhor që do të zgjeronte lidhjet midis tyre, por edhe mbarë rajonin, ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve.