E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: I shqetësuar për zhvillimet në Siri, jemi gati të mbështesim çdo veprim të SHBA-së e NATO-s

berishaKryeministri Sali Berisha është shprehur me anë të një deklarate, se është i shqetësuar për zhvillimet në Siri, ku sipas tij jetojnë me mijëra qytetarë me origjinë shqiptare. Berisha ka thënë se qeveria shqiptare do të mbështesë çdo veprim të SHBA-së dhe NATO-s në Siri.

Kryeministri Sali Berisha përshëndet qëndrimin e SHBA dhe aleatëve ndaj krimeve të fundit kundër njerëzimit, të kryera me përdorim gazi nervin nga diktatori i Sirisë al-Assad.

Qeveria shqiptare ka ndjekur me shqetësim të madh masakrën e popullsisë civile në këtë vend, në të cilin kanë vdekur mbi 100 mijë qytetarë sirianë, ndër të cilët edhe mijëra e mijëra qytetarë me origjinë shqiptare rezidentë të hershëm në lagjet kryesore të Damaskut dhe Alepos.

Qeveria shqiptare ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë e tjera modeste, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për ti dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike, thuhet në një deklaratë të Kryeministrisë./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›