Berisha: Ibrahim Kodra, një nga piktorët më të mëdhenj të kohërave
Kryeministri Berisha e cilësoi Ibrahim Kodrën si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit në të gjitha kohërat, një krijues vigan që ekspozoi veprat e tij me piktorët më të mëdhenj të kohës. Gjatë vizitës së tij në ekspozitën e piktorit Ibrahim Kodra, Berisha theksoi se ai është pas Onufrit piktori më i madh i kombit në të gjitha kohërat.
"Ai vjen sot në vendin e tij, tha Kryeministri, në 100 vjetorin e Pavarësisë, më dinjitoz se kurrë, me kontributin e tij të madh në gjeninë krijuese të kombit, me këtë ekspozitë të mrekullueshme".
Kryeministri u shpreh se kryevepra e të gjitha kryeveprave të Ibrahim Kodrës është “Shqipëria Fantastike”. "Në “Shqipërinë Fantastike”, piktori i madh shkrin në një, bukuritë mahnitëse të vendit të tij, trashëgimitë përrallore historike dhe kushdo që e shikon këtë kryevepër të Ibrahim Kodrës, konstaton dhe konkludon se piktori deshi ti paraqiste botës Shqipërinë si parajsën e vogël tokësore të Mesdheut. Kjo ishte ndjenja dhe kjo ishte dashuria e Ibrahim Kodrës për vendin e tij" tha Kryeministri.