Berisha: Infrastruktura dhe problemet e pronës në Borsh, përparësi të plotë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi një vizitë në fshatin Borsh, ku takua me banorë të kësaj zone.
Gjatë takimit Berisha premtoi se infrastruktura e Borshit do të ketë përparësi të plotë.
“Unë e njoh problemin dhe u them se do zgjidhet 100%. Unë nuk ndërtoj tunelin e Llogorasë pa u dhënë përgjigje problemit të ujërave të zeza nga Semani te Kepi i Stillës. Pasi të ngrinim flamurin blu në ujërat tona, atëherë do vazhdonim me të tjera sepse ai është kusht themelor për të qenë në Europë, nuk është tuneli”, u shpreh Berisha.
“Kusht themelor për të qenë në Europë është që të mos derdhen ujërat e zeza aty ku lahen njerëzit. Kusht themelor për të qenë në Europë që 24 orë të kenë vaditjen, të kenë kullimin, të kenë mbrojtjen e tokës, të kenë suksesin e biznesit”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek problemi me pronat, që sipas tij brenda këtij 4-vjeçari “prona do të shkojë tek i zoti”.
“Shpreh mirënjohje për të gjithë mbështetjen e borshiotëve në dekada ndaj PD dhe garantoj se problemet madhore me të cilat përballeni sot, siç është problemi i pronës, një problem shumë serioz, do jetë në krye të listës së përparësive tona për t’i dhënë përgjigje përfundimtare 4-vjeçarin që vjen. Ne do kthejmë pronën tek i zoti, do i kompensojmë pronën të zotit me tokë ose me para”, tha Berisha.
“Ne evaduam 54 mijë dosje prone. Kanë evaduar 800 dosje në 12 vite. Dhe ju garantoj se po të vazhdonim me ato ritme, do ju jepnim përgjigje përfundimtare sepse krijuam një fond prej 70 mijë hektarë tokë shtetërore në zona turistike, me të cilat ne do kompensonim pronarët dhe do kthenim ato që ishin. Kështu që 4-vjeçari që vjen në mënyrë absolute do çojë pronën tek i zoti. Do bëjë ligjin dhe drejtësinë dhe ky problem pas 4 vitesh nuk do ekzistojë më si trashëgimi”, tha Berisha.
Berisha shtoi po ashtu se “bizneset e Borshit, e të gjithë bregut do të kenë një aleat në Koalicionin e Shqipërisë Madhështore. Bizneset e Borshit do t’u përgjysmohen taksat. Biznesi i vogël, tavanet e TVSH-së dhe tatim fitimit nga 100 dhe 140 mijë euro do të shkojnë në 180 mijë euro”. /j.p/