Berisha nga Himara: Garantoj banorët e Lumit të Vlorës se asnjë litër ujë nuk do mund t’ua marrin

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi kandidatët për deputetë në Himarë, për zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i PD-së garantoi banorët e Lumit të Vlorës, se askush nuk do të mundet t’u marrë ujin duke iu referuar protestave të banorëve që pretendojnë se uji do dërgohet në resortet përgjatë bregdetit.
“Po si mund t’ua marrësh ti lumin atyre? 35 fshatra lumin e kanë jetë. Nga lumi buron e gjithë jeta e bimësisë, përndryshe ato janë shkëmb dhe shkretëtirë. Dhe ky shkon e ua merr se do ua sjellë resorteve. Po hajde këtu në Potam ti, ke aty mijëra litër ujë të ëmbël që bie nga platforma, ngrije ku të duash me pompa dhe shpërndajua të gjithë bregut, të gjithë resorteve, të gjithë hoteleve e me radhë. Po pse do ua marrësh atyre ujin? Nuk ka akt të tillë më absurd. Kurrë nuk do ndodhi”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje banorëve të Bregut që të qëndrojnë mbi pronësinë që kanë te lumi i tyre dhe i garantoi se PD nuk do lejojë kurrë që uji t’u merret, përveçse t’u mbetet atyre”.
Berisha foli edhe për fokusin tek prodhimet vendase.
“Made in Albania do jetë krenaria jonë kombëtare. Dhe në këtë kuadër, kam bindjen më të madhe se prodhimet e Himarës, prodhimet shqiptare do bëhen të famshme siç kanë qenë dikur. Prodhimet e këtij bregu njiheshin në metropolet e botës. Agrumet e saj. Përsëri Himara do ngrihet në të gjithë madhështinë e saj”, tha Berisha. /j.p/