E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Interneti jo 'mollë e ndaluar', po e sjellim falas me Postë

TIRANË-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në një takim me prefektë dhe krerë të qarqeve në vend se qeveria nëpërmjet Postës Shqiptare po siguron hapjen e zyrave me internet falas. Berisha u kërkoi drejtuesve të pushtetit vendor që të sigurojnë ambientet që të hapen këto zyra.

“Interneti të mos jetë më ‘mollë e ndaluar’ për shqiptarët. Të mos harrojmë se cmimet aktuale me të cilat operatorët u ofrojnë shqiptarëve internetit janë cmime absolutisht jashtë cdo standarti dhe kostoje. Por, qeveria duke respektuar tregun dhe lirinë e tij po merr masat që t’ju ofrojë qytetarëve internet falas ose me cmimin më të ulët që eksizton. Këtu kërkojmë angazhimin tuaj total. Agjencia e Postës Shqiptare ka marrë iniciativë të shkëlqyer, të ofrojë internet falas përvec 500 zyrave të saj dhe në 1 200 pika të tjera. Në mbarë vendin, të bëni cmos për të gjetur ambientin aty ku është”. 

Sipas kreut të qeverisë, dixhitalizimi i Shqipërisë është një nga nismat më themelore për vendin. Berisha theksoi se vendi ynë po vrapon me shpejtësi drejt realizimit të plotë të kësaj nisme. “Do mund të marrin falas të gjithë banorët e kësaj zone të kapin antenat. Unë kërkoj që të mund të krijohen në këtë 100 -vjetor të pavarësisë, zyra të tjera interneti falas, 1200 të tilla”.

Ndaj kryeministri kërkoi hapjen e menjëhershme të zyrave që do të sjellin internetin falas. Në këtë pikë, Berisha iu drejtua të pranishmëve “Duhet të hapni zyrat i internetit falas. Aty ku jeni ngushtoni tavolinat, ngushtoni hapësirat dhe hapni një zyrë falas për internetin”.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha pret Princeshën Mathilde: Shtimi i jetëgjatësisë, arritje e dukshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›