E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, makina del nga rruga, nuk ka të lënduar

TIRANE - Një automjet tip Ford me targa të Tiranës për pak sa nuk ka përfunduar në shtratin e lumit Lanë, pasi drejtuesi i tij ka humbur totalisht kontrollin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në afërsi të Piramidës, përgjatë aksit të unazës. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ka qenë me shpejtësi ndërsa i është dashur të kryejë një manovër të rrezikshme pasi është ndërprerë nga një kalimtar i rastit.

Për rrjedhojë, shoferi ka humbur tërësisht kontrollin, ndërkohë që mjeti i tij ka pësuar disa rrotullime e me pas është ndalur nga një pemë, e cila ka shmangur një rrezik të mundshëm për jetën. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar.

Po sot një aksident i ngjashëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit pranë ish-kinema Agimi, ku sërish shpejtësia tej normave të lejuara ka bërë që automjeti të dilte nga rruga. Edhe në këtë rast nga policia nuk raportohen persona të lënduar.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›