Berisha: Investimet turke, 1 mld dollarë
Kryeministri Sali Berisha priti dje ministrin e Jashtëm turk Davutoglu, të cilit i uroi mirëseardhjen në Tiranë. Kryeministri Berisha e vlerësoi shumë të rëndësishme këtë vizitë dhe një shprehje më shumë të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes të dy qeverive dhe të dyja vendeve. "Populli shqiptar dhe populli turk janë të lidhur me mijëra fije miqësie tradicionale e ndjenjash solidariteti dhe jemi të lumtur që gjatë viteve të fundit kjo miqësi dhe këto marrëdhënie të shkëlqyera ka njohur rritje dhe konsolidim të mëtejshëm dhe kanë arritur nivelet më të larta", tha Berisha. Nga ana e tij, ministri turk e ka falënderuar Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i ka përcjellë atij përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më miqësore të Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl dhe Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Në takim u vlerësua fakti se investimet turke në Shqipëri kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme gjatë mandatit të shkuar 4-vjeçar të qeverisë Berisha. "Nga rreth 50 milionë përpara këtij mandati, po afrojnë tashmë shifrën rreth 1 miliard dollarë", tha Berisha.