Përleshje e ashpër mes policisë dhe trafikantëve
Kanë hyrë në ditën e dytë luftimet mes policisë dhe narkotrafikantëve në një prej qyteteve më të madhenj të Brazilit, Rio de Janiero. Policia bëri me dije se kishte vrarë dy trafikantë të rrezikshëm dhe kishte arrestuar katër të tjerë gjatë një operacioni, një ditë pas betejës së vërtetë mes policisë dhe trafikantëve të lëndëve narkotike që shënoi 12 viktima dhe tetë të plagosur. Dhuna, që u mori jetën edhe dy agjentëve të policisë, helikopteri i të cilëve u rrëzua pasi u godit nga forcat guerilase, e kanë shndërruar një pjesë të Rios në një zonë lufte. Kjo ngjarje po e dëmton shumë imazhin e Brazilit, duke parë që dy javë më parë, qyteti i Brazilit fitoi kandidaturën për zhvillimin e Lojërave Olimpike të vitit 2016. Një zëdhënës i policisë tha për agjencinë "Reuters" se luftimet po vazhdojnë dhe janë përqendruar në zonën ku nisi dhuna mes policisë dhe narkotrafikantëve. Sekretari i Sigurisë së vendit, Jose Mariano Beltrame, ka theksuar se policia është vënë në gatishmëri për të izoluar çdo fenomen dhune në qytetin më të madh brazilian, ku veprojnë shumë banda droge. Ai bëri me dije gjithashtu se në të gjitha rrugët e qytetit do të vendosen rreth 4 mijë forca speciale. Qyteti me gjashtë milionë banorë është një nga më të dhunshmit në botë, me shkëmbime të vazhdueshme zjarri mes policisë dhe bandave të narkotrafikut në planet.