E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Investojmë në akset rurale, uji me çmim simbolik

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot programin elektoral të PD-së për infrastrukturën dhe transportin, ku veçoi aksin Milot-Lezhë-Shkodër, të ciline konsideroi përparësi të të gjitha përparësive.

Ndërsa e konsideroi një program transformues të infrastrukturës së vendit, Berisha theksoi se ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për transportin rrugor.

“Nuk ka dyshim që ne do të përfundojmë punët e nisura që nuk sosën kurrë nga këta. Milot-Lezhë-Shkodër është përparësi e të gjitha përparësive. Të gjithë ata që studiojnë fluksin e makinave, numri më i madh i tyre i hyrjeve në Shqipëri pas rrugës së Kombit është Muriqani dhe Hani i Hotit”, tha ai.

Berisha theksoi se përparësi absolute ka së pari zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me tre korsi dhe korsi urgjence në dy anët.

“Së dyti, rruga Milot-Shkodër. Zgjerimi i kësaj rruge është kusht, është emergjencë sot.
Natyrisht përfundimi në kohë i rrugëve që po u harrohet emri. Ato janë shumë të domosdoshme”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha theksoi se pjesë e programit është edhe ndërtimi i unazës periferike të Shqipërisë.

“Do i rikthehemi me vendosmëri infrastrukturës rurale. Unaza periferike, e cila do të qarkojë Shqipërinë. Është projekt shumë i vjetër. Të mos harrojmë se rruga e parë automobilistike në Shqipëri është segment i kësaj unaze, Delvinë-Devoll. Ne punuam në këtë unazë jo pak. Nga Valbona në Gjoricë. Punuam në aksin Gjoricë-Librazhd dhe në segmente të tjera. Natyrisht kjo është rrugë shumë e rëndësishme sepse kemi të bëjmë me më shumë se një të tretën e territorit të vendit, i cili në qoftë se nuk urbanizohet, braktiset”, theksoi ai.

Ndaj Berisha theksoi se PD i rikthehet infrastrukturës së Shqipërisë rurale me vendosmërinë më të madhe.

“Shumat e caktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë qesharake. Në buxhetin e fundit janë 30 ose 35 milionë. Ndaj dhe rrugët shpërbëhen. Rrugët e tyre prishen edhe pa u ndërtuar, siç është parë. Jo, ne do i japim përparësi absolute mirëmbajtjes së rrjetit rrugor. U krijuan autoritetet e mirëmbajtjes së rrugëve, ato do të fuqizohen”, tha ai.

Sipas Berishës “12 miliardë euro janë dhënë nga Rama për infrastrukturën, por investimet nuk kapin as vlerën e 1 miliardëve”.

“Në qoftë se ka një gropë të zezë në zhdukjen e këtyre fondeve, janë pikërisht rrugët dhe projektet infrastrukturore. Çmimet e këtyre veprave dhe objekteve janë dhjetëfishuar. Kjo ka bërë që në 12 vite qeverisje, vështrimi i veprave publike të ndërtuara është jashtëzakonisht i pakët, ndërkohë shpenzimet janë kolosale”, tha ai.

Duke u ndalur te rruga e Arbrit, Berisha nënvizoi se “nga 160 milionë të parashikuara, ajo ka shkuar në 415 milionë dhe nuk dihet sa do shkojë”.

“Në qoftë se marrim Unazën e Tiranës, 19 kilometrat e fundit të saj se 8 kilometrat u ndërtuan gjatë qeverisjes së PD me vepra arti se ishin shumë të lidhura, sot ato janë ndarë në 14 lote me 14 kontrata. Janë një seri rrugësh të tjera që kanë mbetur. 75 milionë dollarë ka qenë e planifikuar rruga Qukës-Qafë Plloçë, gjer tani kanë shkuar 215 milionë dhe ajo nuk dihet kur mbaron”, tha ai.

Berisha u ndal edhe te Aeroporti i Vlorës, të cilin e cilësoi aeroportin e gjobës së madhe të shqiptarëve. “Vlora e do aeroportin dhe ne kemi pasur projektin”, shtoi ai.

Po ashtu, ai premtoi se do të ripërtërihet rrjeti hekurudhor dhe vendi do lidhet me linjë hekurudhore me Kosovën.

“Transporti mujor hekurudhor është qesharak. Kanë tre vjet që punojnë për hekurudhën Tiranë-Durrës, e kanë inauguruar, se këta inaugurojnë shumë herë, po hekurudha mbetet aty ku është. Ne do ripërtërijmë rrjetin hekurudhor dhe do lidhemi me linjë hekurudhore me Kosovën. Ajo është një hekurudhë aq e leverdishme sa Rruga e Kombit. Një hekurudhë në segmentin më të shkurtër që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe pastaj me hekurudhat e Serbisë, Hungarisë e me radhë”, shtoi ai.

Berisha po ashtu theksoi se Shqipëria do të bëhet epiqendër e transportit detar.

“Shqipëria ka një pozicion gjeografik që konkurron të gjitha portet e rajonit.
U bë një betejë e madhe kundër Rrugës së Kombit vetëm e vetëm për transformimin gjeostrategjik që ajo sillte në raport me transportin detar dhe rrugor. Sepse ajo rrugë bënte më të përshtatshëm portet shqiptare dhe kështu janë”, tha Berisha.

“Natyrisht ne i jemi kundërvu dhe i kundërvihemi Dubai City-t të Edi Ramës dhe arabit të tij, Al Alabar. Ai është një monument korrupsioni i përmasave të jashtëzakonshme. Ndaj dhe duke hedhur poshtë idenë e ndërtimit në Durrës të një Dubai City, ne qëndrojmë për rëndësinë jetike të porteve”, tha Berisha.

Ish-kryeministri u shpreh se në programin e përgatitur i është kushtuar një vëmendje e veçantë sistemit të ujësjellësave dhe kanalizimeve.

“Është një vend që furnizon qytetarët e vet falas me ujë dhe ky vend është Austria. Logjika e këtij vendi, është vend që i ka prirë kapitalizmit, ka qenë themeltare në vlerat konservatore, logjika e atij vendi është se ai është vend plot me ujë dhe duhet t’u furnizojë banorët e saj me ujë.

Shqipëria nuk ka më pak ujë se Austria në sipërfaqen dhe popullatën e saj. Ne kemi burime ujore shumë të mëdha, mbitokësore dhe nëntokësore. Kemi relievin gjeografik shumë të përshtatshëm për t’i përdorur këto burime për banorët”, tha Berisha.

“Kjo qeveri zgjidhjen e sheh tek rritja e çmimeve. Absolutisht jo. Ne do shkojmë drejt uljes së çmimeve me synim për uljen maksimale për të mos thënë pa tarifa sepse duhet një investim i madh përpara”, nënvizoi Berisha.

/m.m//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›