Tuneli i Murrizit hapet nesër, Rama: Dibra bëhet lagjja e gjelbër e Tiranës

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit pritet të hapet nesër për qarkullimin e mjeteve duke shkurtuar ndjeshëm distancën mes qyteteve.
Në prag të përurimit të kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore, Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje të tunelit i cili do të jetë nesër i hapur për qarkullim.
“Gati. Nesër Dita e Verës shkon edhe në Dibër dhe Dibra bohet lagjja e gjelbër e Tironës”, shkruan Rama krahas fotos.
Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.
Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit, e cila i kushtoi buxhetit të shtetit 33.6 miliardë lekë, do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km.
Rruga e Arbrit jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
/m.m//a.f/