E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ish-krerët e UÇK-së meritojnë pafajësinë, nesër sytë e shqiptarëve drejt Hagës

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Berisha shprehet se pret një vendim pafajësie për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i cilësuar ata “heronj të çlirimit të Kosovës”.

“Nesër në Hagë, gjykata, pas një procesi të zgjatur gjashtëvjeçar, shpall vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës. Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan. Ndaj, për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre. Dhe urojmë që ata të kthehen të pafajshëm siç janë, kryelartë, heroj të çlirimit të Kosovës”, tha Berisha.

Në reagimin e tij, Berisha thekson gjithashtu se çdo vendim i gjykatës duhet respektuar dhe kundërshton çdo kërcënim ndaj Kosovës, rendit dhe sigurisë së saj.

“Por kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme. Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë!”, shkruan Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›