E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në turneun me gratë: “Duhet të besojmë tek lidershipi i femrës”

23-07-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e kuvendit ka mbajtur një takim me gratë në komunën Kallmet të Lezhës, duke bërë thirrje për më shumë prani të grave në lidership, si në politikë, ashtu edhe në biznes

Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri, politikë, ekonomi, por edhe në biznese ishte kryefjala e takimit të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli me gra, nëna dhe të reja të komunës Kallmet në Lezhë. Duke nxitur orientimin e grave në drejtimin e bizneseve të ndryshme, si agrobiznes, mikrobiznes apo biznese familjare, Kryetarja Jozefina Topalli vuri theksin tek rëndësia e fuqizimit ekonomik të gruas, i cili e bën atë më të pavarur dhe të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë.
“Kur gruaja drejton një biznes, kur gruaja fuqizohet ekonomikisht ajo prodhon më shumë, ajo ndihmon në rritjen ekonomike, ajo sjell më shumë para në familje, ajo ndihet më me dinjitet në raport me shoqet e saj; çdo grua  ndihet më e pavarur, dhe në fund të fundit, ne të gjitha duam të jemi të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë. Unë do doja që gruaja të ishte më e fuqishme ekonomikisht, që ajo të jetë vetja e saj, që asnjëri të mos thotë se, një është ajo që duket, një është ajo që nuk duket”, Topalli.
Çdo grua, theksoi kryeparlamentarja, ia del mbanë dhe mund të jetë lidere e suksesshme në çdo fushë. Ajo nxiti rritjen e pjesëmarrjes së grave në biznes, dhe jo vetëm, por në të gjitha drejtimet, në politikë, në ekonomi, në shkencë, në art, në kulturë etj.
“Unë besoj në fuqizimin e gruas, unë besoj se gruaja ia del, unë besoj se gruaja është edhe më e fortë, edhe më efiçente. Unë besoj dhe dua që më shumë gra të jenë në politikë, më shumë gra të jenë në krye të biznesit, më shumë gra të jenë në çdo fushë, në art, në kulturë, në ferma, në kooperativat që ne duhet të mendojmë të kuptojmë, në marketingun e punëve të dorës, në krye të kantinave të verës etj”, tha ajo. 
Më pas, Kryetarja e Kuvendit vizitoi edhe një panair, ku ishin ekspozuara prodhime bio, punime artizanale dhe artistike të bëra me dorë, produkte të mikro-bizneseve të drejtuara nga gratë. Në këtë panair Topalli theksoi rëndësinë që ka forcimi i promovimit të këtyre produkteve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kulturën dhe traditën e Kallmetit në kultivimin e prodhimeve vendase.
Kryetarja Jozefina Topalli u ndal edhe tek arritjet e Shqipërisë, progres i cili e bën edhe më dinjitoz këtë vit jubile të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi figurat e shquara historike të kësaj zone si Gjergj Fishta, teolog, shkrimtar (poet e prozator), historian, pedagog, filozof, Frang Bardhi, historian, shkrimtar, leksikolog e filozof, poeti i shquar Ndre Mjeda dhe personalitete të tjera. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›