Berisha: Jam i vendosur, do miratoj ligjin e SHISH

Kryeministri: Asnjë zyrtar s'do ketë mandat të pakufizuar. Të hënën "lufta" në Parlament, nëse LSI abstenon, ligji miratohet
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha shprehet i vendosur për të mos u tërhequr nga miratimi i ndryshimeve në ligjin për SHISH. Pavarësisht kundërshtime si të faktorit ndërkombëtar ashtu edhe të Presidentit të Republikës, i cili nuk do ta dekretojë ligjin, kryeministri Berisha deklaroi se mazhoranca do të kërkojë që të miratojë ligjin për SHISH. "Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat. Ky është një qëndrim përfundimtar i Kryeministrit të vendit. Vendet anëtare të NATO-s, në tërësinë e tyre, i kanë të gjithë zyrtarë me mandate të ndryshme. Katër vjet e kanë mandatin për Kryeministrin, katër apo pesë vjet e kanë mandatin për Presidentin, dikush me mandat më të shkurtër, dikush me mandat më të gjatë", - theksoi kreu i qeverisë.
Ndërkohë, burime nga mazhoranca pohuan se në seancën e ditës së hënë do të tentohet hidhet sërish në votim çështja e ligjit të SHISH. Të djathtët do të verifikojnë votat që kanë në Parlament dhe në rast abstenimi të LSI-së, do ta kenë shumë të lehtë për ta kaluar ligjin, pasi nevojitet shumicë e thjeshtë e deputetëve të pranishëm në sallë. Sipas kryeministrit Berisha, mandatet janë Kryeministri: Asnjë zyrtar s'do ketë mandat të pakufizuar. Të hënën "lufta" në Parlament, nëse LSI abstenon, ligji miratohet një normë dhe një standard i vendeve demokratike. Por, kreu i qeverisë nuk pranoi të japë një datë të saktë se kur do të miratohet projektligji për SHISH, duke deklaruar se për një të tillë është parlamenti.
Të dy forcat politike kanë lajmëruar deputetët e tyre që të jenë present ditën e hënë, në të cilën do të diskutohen në parlament dy prej projektligjeve më të rëndësishme, siç është ligji për SHISH dhe buxheti për pjesën e mbetur të vitit. Seancën e fundit plenare, kreu i qeverisë u përball me mungesën e numrit të duhur të kartonëve për të miratuar ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas projektligjit të vjetër, drejtori i SHISH informon dhe raporton tek Presidenti i Republikës dhe tek kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar, ndërsa me ndryshimet që i bëhen këtij ligji parashikohet se drejtori i SHISH i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e shërbimit, si edhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij.
Po në nenin 5 të projektligjit për Shërbimin informative Kombëtar shtohet edhe një pikë e re, në të cilën thuhet se "kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike, si dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara". Një tjetër ndryshim që demokratët duan të bëjnë në ligj është ai i shkarkimit të kryetarit dhe nënkryetarit aktual. Amendamenti i bërë nga deputeti Fatos Hoxha parashikon që kryetari
dhe nënkryetari i SHISH të largohen brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit. Por ky amendament, pas debateve në seancën e fundit parlamentare, u rrëzua.