E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni, pesë në pranga për trafik droge

Të arrestuarit, ishin pjesë e një grupi që furnizonin me heroinë nga Shqipëria disa zona të Italisë së Veriut

Pesë persona të përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës, nga Shqipëria, në drejtim të
Italisë, u arrestuan dje në mbrëmje nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në vijim të një hetimi të nisur prej disa muajsh. Lajmi u bë i ditur për "Shekullin", nga burime të Policisë së Shtetit dhe u konfirmua nga drejtues të saj, si dhe nga burime të afërta të hetimit të kësaj çështjeje. Mësohet se personat janë nga Vlora, Fieri dhe Tropoja, ndërsa deri dje në mbrëmje, oficerët dhe specialistët e Drejtorisë së Operacioneve Speciale, po punonin për të kapur dhe arrestuar edhe një person tjetër që mendohet se është përfshirë në këtë rrjet tëtrafikut të klandestinëve.


Burimet e akuzës, pohuan se çështja u hetua nga prokurori Besnik Muçi, në vijim të hetimeve të bujshme të tij gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Personat e arrestuar mësohet se janë përfshirë në një linjë trafiku, që niste nga Shqipëria dhe mbërrinte në Italinë e Veriut. Hetuesit kishin identifikuar grupin nëpërmjet informacioneve të ndryshme dhe nisën veprimet ndaj tyre. Një muaj më parë, u zbulua se personat kishin nisur nëpërmjet disa korrierëve, një sasi heroine prej 11 kg drejt Italisë. Prokuroria shqiptare dhe Policia shqiptare, njoftuan homologët e tyre italianë të cilët bllokuan mallin kur po mbërrinte në destinacion.


Gjatë kësaj kohe, specialistët e hetimit mblodhën prova dhe të dhëna për grupin, duke hedhur dritë mbi trafikun. Tri ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë, nxori urdhër arrestet përkatëse në bazë të hetimeve të kryera nga grupi i prokurorisë. Pritet që gjatë ditës së sotme Prokuroria dhe Policia të dalin në një konferencë të përbashkët në lidhje me çështje, ku pritet që prokurori Muçi të flasë përpara gazetarëve. Ky i fundit tashmë renditet në listën e kandidatëve që sfidojnë, për të zënë drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, më e madhja që kanë rrethet gjyqësore të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›