Gjoba lokaleve të natës në bregdet

Nis aksioni për monitorimin e zhurmave. Të shtunën në mbrëmje, në Durrës 7 subjekte janë gjobitur për muzikën e lartë
Në Vlorë policia vendosi të "mbyllë" në 12:00 të gjitha diskot verore, duke iu përmbajtur udhëzimit të ministrisë
Jeta e natës në vijën bregdetare nuk do të vazhdojë pas mesnatës, qoftë edhe në fundjavë. Mbrëmjen e së shtunës, punonjës të policisë të shoqëruar nga inspektorë të Mjedisit kanë nisur monitorimin e respektimit të udhëzimit më të fundit për mbylljen e jetës së natës në bregdet në orën 12:00.
Ky fenomen është konstatuar duke filluar që nga sektori "Teuta" i plazhit të Durrësit deri në Shkëmbin e Kavajës dhe duke vijuar deri në Golem. Të gjitha lokalet që kanë vendosur të "sfidojnë" qetësinë e pasmesnatës janë gjobitur.
Drejtori Rajonal i Agjencisë së Menaxhimit të Mjedisit në Durrës, Ramazan Kalia, thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara në fundjavë për ndotjet akustike (zhurmave) është ndërhyrë në 7 lokale nate, ku janë konstatuar shkelje dhe janë vendosur edhe sanksione me gjoba.
Kontrollet u ushtruan në orët e mesnatës si në plazhin e Durrësit, ashtu edhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës. "Këto lokale, - thekson Kalia, - u ndeshkuan me nga 50 000 lekë gjobë".
Ai u shpreh se një ndër shkeljet e kryera nga pronarët e këtyre lokaleve ishte edhe fakti se ata ushtronin aktivitetin të papajisur me leje mjedisore. Për këtë atyre u janë lenë dhe afate të caktuara që të plotësojnë tërësisht kushtet e ushtrimit të veprimtarisë së tyre sipas kërkesave ligjore.
Kalia thotë se niveli i zhurmave e kalonte shumë normën e lejuar në kufirin 55 - 60 decibel. Ai ka bërë me dije se kontrollet do të jenë të vazhdueshme edhe në ditët e ardhshme.
Sipas drejtorit të Mjedisit, në udhëzimin e nxjerrë nga Ministria e Mjedisit janë përcaktuar edhe oraret e reja për subjektet që gjenerojnë zhurmë dhe ndotje akustike, të cilat duhen zbatuar me korrektësi.
Ai deklaroi se "do të ketë masa të rrepta për të gjitha lokalet që shkelin dhe abuzojnë me ligjin, ndërsa në monitorim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë do të jenë të gjithë subjektet e këtij lloji. Në kontroll është përcaktuar qartë edhe zbatimi i normave limit të muzikës së lejuar.
Oraret e përcaktuara janë: Për ambientet e hapura, për ditën e premte dhe të shtunë, orari i lejimit të aktivitetit do të jetë 19:00 - 24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës, orari i lejimit të aktivitetit do të jetë 19:00 - 23:00, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të përcaktuara në Udhëzimin e Përbashkët të ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Shëndetësisë".
Ndërkohë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në vijën bregdetare të rrethit të Vlorës. Në mesnatë, forca të policisë janë shfaqur duke kërkuar nga pronarë të diskove verore që të ulin zërin e muzikës, duke bërë që të gjithë të rinjtë që rreth orës 23:00 iu drejtuan diskove, të largohen duke kërkuar të tjerë mënyra argëtimi ku mund të kalonin fundjavën e tyre.
Transporti publik urban, protesta në Vlorë
Vlorë - Zgjerimi i shërbimit të transportit publik në Vlorë nuk ka kaluar pa përplasje ndërmjet rrjetit ekzistues dhe atij privat.
Punonjës të parkut urban në qytetin e Vlorës kanë protestuar për hyrjen e linjave të reja të këtij shërbimi nga operatori privat. Pretendimi i ngritur nga punonjësit ka të bëjë me faktin se edhe pse ishte rënë dakord që operatori privat të vepronte në vetëm tre linja, aktualisht po ndodh e kundërta, duke sjellë shqetësim tek punonjësit e parkut urban, të cilët u ankuan se do të duhet të plotësojnë brenda orarit një normë fikse, të përcaktuar kohë më parë.
Punonjësit thanë se kanë biseduar me drejtues të bashkisë, ku është diskutuar dhe vendosur që operatori privat të mos ndërhyjë në linjat të cilat në qytetin e Vlorës mbulohen nga parku urban, por realisht po ndodh e kundërta.
Ata thanë se autobusët e operatorit privat nuk kryejnë linjat e përcaktuara, por tentojnë të hyjnë në linjat që janë nën administrim të parkut. Për këtë qëllim, kanë theksuar punonjësit, "kemi kërkuar edhe një takim me kryetarin e bashkisë, pasi besojmë se është personi i vetëm që mund të zgjidhë këtë problem. Ende nuk e dimë se cilat do të jenë hapat tanë të mëtejshëm, por shpresojmë se gjithçka do të marrë zgjidhje.
Protesta jonë sot është thjesht paqësore, duke shpresuar në zgjidhje të shpejta. Nuk jemi kundër futjes së linjës së re të autobusëve urbanë në qytetin e Vlorës, por të përcaktohen linjat që duhet të ndjekë operatori privat dhe parku urban",- thanë punonjësit që morën pjesë në protestë.
Shumë më ndryshe ka qenë opinioni i qytetarëve në lidhje me zgjerimin e shërbimit, fakt ky i fundit që është pritur pozitivisht, pasi ka ulur dukshëm kohën e pritjes së qytetarëve në stacione, si dhe ka shtuar linja të reja përgjatë qytetit. Zgjerimi i këtij shërbimi është kryer vetëm pak ditë më parë, pasi e ka marrë para kësaj miratimi i këshillit bashkiak për futjen e një kompanie private në këtë shërbim, me qëllim përmirësimin e tij.