E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jemi ndër vendet e para në botë për vdekshmëri të ulët

Share

Berisha tha se kemi shënuar rekord për vdekshmëri të ulët foshnjore. Berisha shtoi se jemi vendi i parë ndër vendet ish- komuniste për vdekshmëri të ulët tek të rriturit. Kryeministri shtoi se jemi në vend të tretë në botë për akses në sistemin shëndetësor. Ai deklaroi se jemi ndër vendet e para në botë për vaksinimin dhe një vend ku thuajse nuk ka asnjë radhë për të marrë shërbimin shëndetësor

Kryeministri Sali Berisha ia kushtoi mbledhjen e qeverisë disa të dhënave që flasin për vdekshmërinë në Shqipëri. Berisha tha fillimisht se Shqipëria ka një vdekshmëri foshnjore në nivele jashtëzakonisht të ulëta.

Vendi renditet në grupin e vendeve të zhvilluara për vdekshmërinë foshnjore. Asgjë nuk shpreh shkallën e zhvillimit ekonomik dhe social, gërshetimin e këtij zhvillimi më shumë se vdekshmëria foshnjore.

Shqipëria ka patur nivelet e Afrikës së dikurshme. Shqipëria e sotme ka mortalitet infantile njëshifror. Arritje historike për këtë komb, që e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara. Arritja është rezultante e zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, social, kulturor të vendit, dëshmi e kujdesit shëndetësor efikas. Nuk mund të pretendohet se çdo gjë në këtë arritje është atribut i bluzave të bardha, por pa rolin e tyre kryesor, kjo arritje do të ishte e pamundshme. Do të vazhdojnë betejën për të mbrojtur çdo fëmijë e për të ulur gjithnjë e më shumë këtë indeks që tashmë është njëshifror. Është rezultante e një universi të tërë zhvillimesh që bën që shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë të vijnë si komb kryesisht urban, të shkëputjes nga varfëria masive, të konsolidimit të sistemit shëndetësor, por në këtë horizont beteja bëhet më e sofistikuar. Të gjejmë cilat janë shkaqet reale të vdekjes së 8-9 foshnjeve për një mijë që lindin. Dhimbja e nënës lehonë është më tronditësja. Shqipëria lë mbrapa një numër të konsiderueshëm të vendeve të zhvilluara të planetit, tha Berisha.

Por jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore, por edhe për vdekshmërinë e të rriturve jemi vendi i parë ndër vendet ish- komuniste. Tregues tjetër themelor është vdekshmëria në tërësi. Dekadën e fundit në Shqipëri ka vdekshmërinë totale për burrat edhe gratë më të ulëtën se të gjitha vendet tjera ish-komuniste, tha Berisha.

Sipas kryeministrit Shqipëria renditet në grupet e vendeve të zhvilluara edhe për treguesit e vaksinimit të fëmijëve. Ne kemi nivelet më të larta në botë për vaksinimin e fëmijëve, deklaroi ai.

Berisha tha se Shqipëria është vendi i tretë në botë për akses në sistemin shëndetësor. Po ashtu kryeministri deklaroi se Shqipëria është vendi me radhët më të pakta në marrjen e shërbimit shëndetësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›