Nobelisti Guenter Grass sulmon Izraelin me një poezi
Autori i njohur gjerman, fitues i çmimit Nobel, Guenter Grass, ka sulmuar Izraelin duke thënë se rrezikon paqen botërore. Grass ka mbajtur krahun e Iranit në këtë përplasje të fundit, duke e shprehur qëndrimin e tij me një poezi të botuar në gazetën Sueddeutsche Zeitung. Poezia mban titullin Çfarë duhet thënë. Autori shkruan se fuqia atomike e Izraelit rrezikon paqen e brishtë botërore.
Në poezi 84 vjeçari kritikon edhe faktin që Gjermania ka dërguar një nëndetëse në Izrael.
Poezia e tij është botuar në disa gazeta të njohura botërore. Ndaj tij ka pasur kritika të ashpra, duke e akuzuar se ka pasur gjithmonë një problem me hebrenjtë. Në biografinë e tij në vitin 2006, Grass zbuloi për herë të parë se kishte qenë anëtar i trupave naziste kur ishte 17 vjeç. Dhe pse kishte akuzuar të tjerët për këtë çështje, ai kishte heshtur kur kish ardhur puna tek e kaluara e tij.