E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Jemi pro veprimit te qeverise se Kosoves dhe EULEX-it ne kufirin verior

Kryeministri Berisha përshëndeti sot veprimin e qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it, për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave e pikave kufitare në veri të Kosovës.

“Qeveria shqiptare përshëndet dhe mbështet plotësisht veprimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës dhe Eulex-it, në kufirin verior të Republikës së Kosovës, për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave dhe pikave kufitare sipas rregullave ndërkombëtare, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për këtë çështje, midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Serbisë.

Ky vendim i autoriteteve të Kosovës dhe Eulex-it , për të zbatuar marrëveshjen e firmosur në Bruksel nga palët me ndërmjetësimin e BE, përbën një kontribut real në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Qeveria Shqiptare, i bën thirrje Beogradit të respektojë marrëveshjen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për strukturat paralele dhe ata që duan të shndërrojnë tre komunat në veri të Kosovës protektorate të krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme”, citon deklarata e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›