E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i skrapit në Fier: 30 milionë euro në dispozicion të LSI

Kallzimi penal i depozituar nga konkurrentët

Ilir Meta po drejton në distancë procesin e zhvatjes së skrapit nga Azotiku i Fierit në përpjekje për të kënaqur dy deputetët e lëkundur të LSI. Historia e një dosje të zezë korrupsioni që duhet të ndalet urgjent nga prokuroria

Një histori e zezë korrupsioni është duke u zhvilluar në Fier, në ish Uzinën e Azotikut. Skandali ka të bëjë me kompaninë, e cila ka fituar një tender të komanduar për blerje të skrapit. Me pak fjalë historia është kështu. Kompania që ka fituar tenderin ka dhënë një çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin për njësi që ka skrapi në treg, dhe ka manovruar edhe me sasinë e skrapit që merr duke shumëfishuar fitimet, të cilat po mblidhen në të zezë. Gazeta Tema ka siguruar materiale filmike dhe shkresore për këtë skandal, i cili është shumë i rëndë. Në këtë skandal është e përfshirë administrata lokale e Fierit nga prefektura dhe ndërmarrjet publike.

Si ka nisur historia e këtij tenderi?

Historia nis me një tender për blerje skrapi që organizoi në fillim Albpetrol. Fituesi i këtij tenderi ishte paracaktuar nga ndërhyrjet e Ilir Metës dhe konkurrenti kryesor në këtë tender, kompania Ku&Ko, u detyrua të tërhiqej pas një takimi me Ilir Metën në vilën e Lalzit. Drejtuesi i kësaj kompanie ja ka konfirmuar gazetës takimin, dhe një premtim të Ilir Metës se do ta shikonte mundësinë ti jepte kësaj kompanie një tender në një kohë të afërt. Bëhej fjalë për tenderin e skrapit të Azotikut. Me sa duket ka pasur histori pazaresh për këtë tender, dhe në fund kompania Ku&Ko nuk e mori tenderin.

Atë e fitoi formalisht me letra kompania turke KURUM, me përfaqësues në terren zotin Leonard Koka, vëllai i deputetit të LSI, Lefter Koka. Kjo mund të verifikohet lehtë pasi ai ka lënë gjurmë në këtë proces përmes firmosjes së faturave dhe kontakteve me policinë e Fierit. Gazeta Tema disponon dhe filmime të procesit të punës dhe njerëzve që janë përfshirë në këtë histori.

Skandali është se firma Ku&Ko, e drejtuar nga Fehmi Gjuda, ofroi rreth 500 milionë lek më shumë se Kurumi për ta blerë skrapin, por u skualifikua.

Skandali financiar

Skandali financiar dhe dëmi i pallogaritshëm që i shkaktohet shtetit është se skrapi po blihet me një vlerë qesharake prej 0.96 lek, kurse në treg shitet me 40 lek, pra rreth 40 herë me lirë. Në vlerë reale pasuria publike po zhduket në këtë rast me 2,5 për qind të vlerës së saj. Kjo është një humbje e pallogaritshme, e cila shkon e gjitha në xhepat e tregtarëve të lidhur me LSI, e cila e konsideron pasurinë kombëtare pronë të LSI dhe interesave klienteliste të saj. Në këtë proces është përfshirë dhe Policia e Shtetit, e cila lejon kamionë me mall kontrabandë skrapi të lëvizin jashtë rregullave në akset rrugore.

Edhe pse konkurrenti e ka paditur çështjen në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe e ka fituar aty, askush nuk e respektoi urdhrin e saj për pezullim tenderi. Zbatimi i kontratës ka filluar menjëherë pa pritur afatet ligjore të ankimimit në APP.

Në prokurorinë e Tiranës gjendet tashmë një ankim penal për këtë çështje nga firma Ku&Ko e zotit Fehmi Gjuda, i cili mund të dëshmojë dhe për hollësi të tjera të kësaj historie korrupsioni.

NESER DO LEXONI

Si LSI mban partinë me biznese të tilla dhe detaje nga skandali i vjedhjes

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›