Berisha non grata, në 9 muaj, asnjë vizitë zyrtare jashtë Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha është shpallur non grata nga pjesa më e madhe e vendeve perëndimore pjesë e BE-së dhe SHBA-të. Por kreun e qeverisë gjatë kësaj kohe nuk e kanë ftuar për vizita as vendet e vogla të rajonit. Prej 21 janarit kur vrau 4 protestues në bulevard me dorën e Gardës Republikane, diplomacia botërore i ka hequr vizën duke e quajtur një lider satrap i rrezikshëm për shoqërinë dhe demokracinë brenda dhe jashtë vendit.
I vetmi takim i tij ka qenë në Krans Montana ku bisedoi me kapitalistët që rrjepin ekonominë botërore dhe me homologun e tij po satrap të Azerbajxhanit. Prej asaj kohe Berisha nuk është parë të dalë jashtë Shqipërisë apo të ftohet nga Bashkimi Evropian. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kryeparlamentaren Jozefina Topalli, e cila së bashku me shefin e saj janë izoluar nga perëndimi, edhe për shkak të sjelljes së saj të pahijshme në Parlamentin Evropian. Berisha ka qenë i ftuar vetëm në takimin e Partive Popullore Evropiane, një ftesë nga halli kjo, pasi janë mbledhur të gjithë liderët e djathtë të qeverive në Evropë.
Por mësohet se aktualisht për Berishën dhe Topallin nuk ka ende ndonjë ftesë zyrtare në horizont, por vetëm korrierë shqiptarë në ambasada që bredhin për të siguruar ndonjë vizitë ministri diku nga Lindja e Largët.
Ama News