Berisha: Jemi të bindur në hetimin e 21 janarit

Ndërsa ditën e djeshme, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së kryeministri Sali Berisha deklaroi se data 20 shkurt ishte de fakto, kjo zyrtarisht për nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 8 maj, sot në Shkodër, ai e konfirmon këtë gjë. Ndërkaq, gjatë inagurimit të zyrës së Informimit për Bashkimin Europian, Berisha i mëshoi faktit se përgjegjësit e 21 janarit do të dalin përpara drejtësisë.
Kjo deklaratë, vjen në një kohë dhe kur kryeministri theksoi se koncerti festiv i mbajtur në 20 shkurt me rastin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ishte përgjigja më e mirë ndaj 21 janarit.
“Jemi të bindur për hetimin e plotë të kësaj ngjarje. Askush nuk mund të cënojë institucionet sepse do ti përgjigjemi me forcën e ligjit. Të gjithë ndërkombëtarët kërkojnë hetimin e 21 janarit dhe ne jemi të gatshëm për këtë gjë”.
Më tej, Berisha akuzoi opozitën ndërsa theksoi se krerët e opozitës rrethuan kryeministrinë dhe ishin flakëvënësit ata të cilët nuk mbështesin integrimin.
Për të, zgjedhjet e 8 majit mbeten një opsion mjaftë i madh që cdo qytetarë të bëjë zgjedhjen e duhur për një qeverisje të duhur.
“Cdo shqiptarë ka një shanc në datën 8 maj. Ftoj shqiptarët të marrin pjesë në votime” tha Berisha.