Hamarberg: Politika duhet të bashkëpunojë me Prokurorinë

Në Shqipëri forcat politike duhet të bashkëpunojnë me hetimin e Prokurorisë së Përgjithshme mbi dhunën në demonstratën e 21 janarit ne Tiranë.
"Duhet një hetim tërësor, i paanshëm dhe i besueshëm mbi shkeljet e të drejtave të njeriut që ndodhën në Tiranë në 21 janar" u shpreh Komisioneri Thomas Hammarberg sot gjatë bërjes publike të një raporti special pas një vizite tre-ditore në Shqipëri.
Ai diskutoi mbi aspektet e të drejtave të njeriut gjatë zhvillimeve të demonstratës, në të cilën u vranë katër demonstrues dhe u plagosën një numër policësh dhe demonstruesish të tjerë.
"Është e domosdoshme që personat përgjegjës për aktet e dhunshme të japin llogari për to. Kjo është e rëndësishme si për të vendosur drejtësinë ashtu edhe për të parandaluar dhunën në lidhje me demonstratat dhe protestat politike në të ardhmen" deklaroi Komisioneri.
Ai mirëpriti faktin që grupimet kryesore politike i deklaruan se Prokuroria e Përgjithshme është organi përgjegjës për hetimet. Megjithatë, ai vërejti me keqardhje se ka pasur deklarata publike kritike kundër Prokurores së Përgjithshme.
Komisioneri u takua me përfaqësues kryesorë të klasës politike dhe institucioneve dhe u befasua nga polarizimi i skajshëm që ekziston në Shqipëri. Të dy grupimet politike dhanë përshkrime jashtëzakonisht të ndryshme mbi atë çka ndodhi në 21 janar. "Polarizimi i skajshëm politik e bën veçanërisht të vështirë dhe delikate detyrën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Është e rëndësishme që gjithsecili të shmangë ndërhyrjet në hetimet që kanë nisur dhe që autoritetet përkatëse, duke përfshirë dhe policinë, të bashkëpunojnë në mënyrë te plotë dhe në kohën e duhur me prokurorinë" përfundoi Komisioneri.
Ai gjithashtu vërejti se asistenca teknike e ofruar nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara ndaj Prokurorisë së Përgjithshme duket se ka pasur kontribut të konsiderueshëm. Ai sygjeroi në raportin e tij që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë t`u përgjigjet pozitivisht kërkesave për asistencë në këtë kontekst.
Gjatë vizitës së tij Komisioneri u takua me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Brendshëm, Prokuroren e Përgjithshme, Avokatin e Popullit në detyrë, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ai gjithashtu u takua me katër përfaqësues kryesorë të Partisë Socialiste. Veç kësaj, Komisioneri mbajti takime me disa nga Ambasadorët e pranishëm në Shqiperi si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe medias.