E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jo ndryshime te kufijve ne Ballkan

Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se nuk do të ketë ndarje të kosovës apo ndryshime të kufijve në Ballkan. Gjatë fjalës së tij në në takimin mbi sigurinë globale në Romë, Kryeministri Berisha tha se çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë hap një zinxhir tensionesh dhe madje konfliktesh dhe do të duhen shumë vite për të dalë prej tyre.
“Në Kosovë ka disa minoritete, përfshirë ai serb. Por në mënyrë të habitshme, shumica e serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë në paqe e harmoni me shqiptarët, ndërsa serbët, që jetojnë në tre komuna në veri të Mitrovicës, ku nuk ka shqiptarë, jetojnë në tension, në një kohë kur askush nuk i lëndon, askush nuk ua kufizon të drejtat njerëzore. Çështja e këtyre tre komunave duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kufijtë e Kosovës dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohen. Problemi kryesor në këto tre komuna është kontrabanda. Kontrabanda me shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët, të gjithë. Kjo është e vërteta. Dhe kjo sepse ata janë jashtë kontrollit.
Në Beograd ka një qeveri të re dhe pavarësisht disa deklaratave paraprake jo të shëndetshme që kanë bërë, ne shohim me interes të vazhdojmë përpjekjet tona për integrimin e mëtejshëm rajonal. Ne mbështesim plotësisht integrimin e rajonit në NATO” tha Kryeministri Berisha.
Sa i përket konfliktit në Siri Kryeministri Berisha tha se Shqipëria si kryesuese e Këshillit të Europës do përpiqet që në këtë vend të ndalet gjakderdhja.
“Një diktator tjetër mizor po sfidon botën e lirë dhe ky është Asad. Nga ajo që kam parë dhe kam ndjekur për çfarë po ndodh atje, nuk shoh ndryshime të mëdha me atë që ndodhi në Bosnje, në Kosovë, në Libi. Një diktator që ka pasur mundësinë për të hequr qafe trashëgiminë e të atit. Ai dështoi në përqafimin e reformave për të ndryshuar vendin e tij, përkundrazi, ndoqi të kaluarën e të atit dhe adoptoi të njëjtën politikë mizorie dhe shtypjeje. Ai përfaqësonte një minoritet në të gjitha aspektet, në popullsi, në regjim, kudo. Kështu, këta njerëz, ata kanë një thirrje ditore për t’i ndihmuar, pa vendosur një zonë ndalim-fluturimi. Gjaku i derdhur, mizoritë e regjimit, i cili është i armatosur më mirë dhe më i fuqishëm në shumë aspekte, do të jetë shumë e vështirë për opozitën, për të hequr qafe këtë Millosheviçi të ri, Sadami të ri, Gaddafi të ri dhe djali të Asad” deklaroi Kryeministri.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›