E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ju ftoj të votoni për mandatin e artë, të 8-in

04-06-2013 / Gazeta 55

Prezantohen kandidatët e mazhorancës në Bushat

“Entuziazëm i jashtëzakonshëm në komunën e Bushatit, në pritjen e organizuar për kryeministrin Sali Berisha”. Kryeministri: “Rama iu ofron taksën e Spiro Kolekës, për të rrënuan të ardhmen tuaj”

Partia Demokratike nisi dje tubimet elektorale, për prezantimin e kandidatëve për deputetë, në komunën Bushat, në Qarkun e Shkodrës. Kryeministri Berisha prezantoi alternativën e të djathtës, për ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë gjatë katër viteve të ardhshme, duke kërkuar votën e qytetarëve për një tjetër mandat qeverisës, me qëllim kompletimin e projekteve në infrastrukturë rrugore, arsim, shëndetësi si dhe për mbështetjen e fuqishme për fermerët dhe sektorin bujqësor. Alternativa tjetër që u serviret shqiptarëve, tha Berisha, është ajo e rrënimit ekonomik të Shqipërisë dhe varfërimit të shqiptarëve. “Shoku i autobusit që endet si Nastradini nëpër rrugët e Shqipërisë, ju deklaroi dje qytetarëve të Delvinës që do të heqim TVSH, do të heqim taksën e vlerës së shtuar për pesë produkte bujqësore. Kjo do të thotë t’ju kalbësh në ara grurin, kjo do të thotë t’jua falimentosh fermat e lopëve, sepse TVSH është mbrojtja që shoqëria shqiptare ju bën fermerëve shqiptarë nga ushqimet e importuara. Të heqësh TVSH e miellit, të grurit apo të bukës do të thotë që mielli, gruri që vjen nga Ukraina e Argjentina të fshijë çdo kalli gruri në Shqipëri. Të heqësh TVSH-në për qumështin apo vezën do të thotë që qumështi i lopëve të Bashkimit Europian, që marrin subvencion çdo ditë 3.5 euro, i juaji të mos mund konkurrojë kurrë me të dhe qumështi në shtëpitë tuaja të mbetet për tu derdhur. Të heqësh TVSH për vezët e pularive gjigante të Europës, do të thotë që pularitë tuaja të falimentojnë brenda gjashtë muajve. Të heqësh TVSH e ushqimeve do të thotë të godasësh në mënyrë fatale përpjekjen tuaja titanike për të ngritur në Shqipëri fermat konkurruese, për të prosperuar veten, për të zhvilluar Shqipërinë. Të heqësh TVSH-në për ushqimet do të thotë të rrëzosh përtokë fermat shqiptare, mundin dhe djersën e fermerëve shqiptar, sepse ajo është e vetmja mburojë që ju mbron juve nga një vërshim i gjithanshëm i prodhuesve gjigant të vendeve të tjera që marrin subvencione kolosale”, u shpreh Berisha. Për të bërë edhe më shumë efekt taksën prej 10% e lidhi edhe me Zotin. “Nga autobusi i tij mavi, Nastradini, përpiqet t’ju mashtrojë ju dhe thotë se taksa e sheshtë është e pandershme. Lexoni Biblën, lexoni Kuranin të dhjetat janë taksa më e ndershme e kësaj toke. Të dhjetat, janë taksa e Zotit, taksa e kohërave. Të gjitha taksat e tjera mbi të dhjetat janë shtypëse, shfrytëzuese dhe kurrë nuk duhet t’i pranoni. Ky mashtrues, ky Nastradin që kalon me autobusin e tij mavi ju servir juve matematikën e mashtrimit dhe ju thotë juve se, me këtë taksë, deputeti dhe infermieri paguajnë të njëjtën taksë. Mashtrim i pa skrupullt. Deputeti me rrogën e tij 140 mijë lekë paguan me këtë taksë 14 mijë lekë, infermierja me rrogën e saj 40 mijë lekë, paguan me këtë taksë 4 mijë lek, paguan me këtë taksë tre herë më pak sesa deputeti. Kjo është taksa e ndershme, sepse ata që marrin më pak paguajnë më pak, ata që marrin më shumë paguajnë më shumë  dhe sa herë më shumë marrin aq herë më shumë paguajnë. Ndaj dhe shoku i autobusit do t’ju paraqesë ju për të ndershme taksën e Marksit, taksën e Spiro Kolekës, taksën me të cilat rrënohen bizneset, rrënohet e ardhmja”, sqaroi kryeministri.
Por Bushati është përmbytur disa herë dhe paratë ende nuk i ka marrë të gjitha. Kryeministri u foli për vështirësitë financiare të KESH-it, tashmë të kapërcyera. “Jam këtu prapë për tu thënë se në mënyrë absolute do merrni qindarkë për qindarkë ato që ju takojnë dhe për këtë është garant qeveria dhe Sali Berisha. Në qoftë se ato u shtynë, u shtynë sepse ligji përcakton se duhet ti paguajë KESH-i dhe sapo KESH-i erdhi në gjendje, qeveria nuk i mori, por përkundrazi i kërkoi asaj që paratë t’jua kthejë juve dhe do t’jua kthejë qindarkë  për qindarkë. Alternativa jonë është alternativa e mundit e djersës , është alternativa e begatimit, e dinjitetit e ecjes përpara. Pasi sqaroi këtë moment, kryeministri garantoi më shumë zhvillim për Bushatin dhe shndërrimin e tij në Bashki. Ai dhe kandidatët për deputetë e kërkojnë nga Bushati mandatin e tetë të në Qarkun e Shkodrës”, vlerësoi Berisha. Pasi sqaroi këtë moment, kryeministri garantoi më shumë zhvillim për Bushatin dhe shndërrimin e tij në Bashki. Ai dhe kandidatët për deputetë e kërkojnë nga Bushati mandatin e tetë të në Qarkun e Shkodrës. “Me 23 qershor mandati juaj i tetë është mandati i artë. Është mandati i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të vendosur, për të marrë statusin e vendit kandidat. Ju ftoj juve me 23 qershore të bëni gjithçka me një vendim solemn për t’i dhënë Shkodrës, Shqipërisë, mandatin e artë, mandatin e tetë për të sjellë Gjok Uldedën në parlamentin Shqiptarë. Gjok Uldedaj përfaqëson juve, vlerat tuaj. Deputetët e Shkodrës, përfaqësojnë juve, vlerat tuaja, interesat tuaja. Jemi të vendosur për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Europian, të vendosur për krijimin e mijëra vendeve pune në Shkodër në Shqipëri dhe kudo. Të vendosur për rritje rrogash dhe pensionesh. Për zhvillimin e Bushatit, për zhvillimin e Shkodrës. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë Europiane”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›