Berisha: Kemi fakte, zgjedhjet e 14 majit ishin të pabarabarta dhe kriminale

Ish kryeministri Sali Berisha vijon t‘i konsiderojë kriminale dhe të pabarabarta zgjedhjet që u mbajtën me 14 maj në vendin tonë.
Teksa publikoi disa video nga procesi i votimit të zgjedhjeve vendore, Berisha tha se sipas tij operatorët kanë diktuar votën e qytetarëve dhe se punonjësit u sollën si polici duke ushtruar presion ndaj zgjedhësve.
“E them përsëri, që përsëritja e të njëjtës temë nuk është ndonjëherë atraksion për mediat, por kur është një gjë themelore, shmangia e saj përbën një gabim të pafalshëm. Pikërisht kjo më detyron mua të paraqes për të shumtën herë tek ju, fakte dokumente të cilët demaskojnë dhe rrëzojnë në mënyrë përfundimtare, zgjedhjet e 14 majit si procesi më i shëmtuar, më i pabarabartë, si procesi në të cilin u ushtruan të gjitha format e presionit mbi zgjedhësit shqiptarë, si procesi në të cilin ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit me kaosin e qëllimshëm të krijuar, me pushtimin e tyre nga një lukuni e tërë punonjës administrate që u sollën si polici elektorale, politike, proces zgjedhor nuk ka pasur.
Ne po finalizojmë raportin në të cilin faktojmë të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të këtyre zgjedhjeve. Ndaj dhe këtë bisedë me ju do ta filloj me këtë çështje.“, tha Berisha.
Berisha tha se do të ketë një rikthim bashkëpunimi me kreun e PL-së Ilir Metën për rikthimin e votës së lirë së shqiptarve.
“Mbrojta e votës është proces, do të bëjmë plan veprimi që vendoset nga Këshilli, kryesia dhe aletat, që shqiptarët të votojnë të lirë“, tha Berisha.
Sali Berisha u ndal edhe tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Portin e Durrësit për të cilën paralajmëroi se do të çojë çështjen në Strasburg.
“Është një marrëveshje pa garë, e cila në vetvete është në shkelje të Kushtetutës, e cila garanton në nenet dhe frymën e saj garën e hapur dhe të lirë, kjo është bërë pa garë. Dhe këto nuk janë motive për gjykatën Kushtetuese, por njëlloj si të kenë marrë ndonjë apartament në Dubai City, duke treguar një qëndrim korruptim, antiligjor të pashembullt. Do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit.‘- tha Berisha.
/rtsh.al/