E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kërkojmë vëzhgim nga SHBA, do mbajmë zgjedhje sipas standardeve

23-02-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha priti dje në një takim zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA Phillip Reeker, të cilit i konfirmoi vullnetin për të mbajtur zgjedhje sipas të gjitha standardeve të OSBE/ODIHR-it
Philip Reeker: SHBA mbështet fuqishëm Shqipërinë - bashkëpunimi mes dy vendeve i shkëlqyer

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA Phillip Reeker dhe shtroi një drekë për nder të tij, e cila u zhvillua në një atmosferë shumë të hapur e miqësore.
Kryeministri Berisha e falënderoi Reeker për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA dhe Qeverisë Amerikane dhe atë të Presidentit Obama ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim u vlerësua gjithashtu edhe një herë vizita historike e ish-sekretares së shtetit, Hillary Clinton në Shqipëri dhe njëkohësisht fakti, që në krye të departamentit të shtetit pas largimit të saj qëndron sërish një mik e mbështetës madh i Shqipërisë e shqiptarëve siç është Sekretari i Shtetit John Kerry, të cilit kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin t’i ridërgojë përshëndetjet e urimet më të përzemërta.
Më tej, biseda u ndal në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. Kryeministri Berisha theksoi se, realizimi me sukses i reformës zgjedhore ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. Në këtë kuadër, ai nënvizoi masat e marra nga administrata zgjedhore për rritjen e ndjeshme të shpejtësisë dhe transparencës në votim dhe numërim.
Kryeministri Berisha i ripohoi Reeker dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare, që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të zgjedhjeve duke e siguruar atë se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të zbatuar çdo masë në kuadër të shtetit ligjor që zgjedhjet e 23 qershorit të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në shumë fusha, duke u ndalur në veçanti në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe atë në sektorin e mbrojtjes si dhe u rikonfirmua vendosmëria e për ta thelluar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e frytshëm, e të suksesshëm midis të dy vendeve në të gjitha fushat me interesa të ndërsjellë.
Reeker i ripohoi kryeministrit Berisha, se SHBA do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, Reeker përshëndeti edhe marrëveshjen e fundit trepalëshe midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë, si një shenjë tjetër e klimës së bashkëpunimit për interesat e përbashkët të këtyre vendeve.
Më tej në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, ku Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin të shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj SHBA, qeverisë amerikane, presidentin Obama dhe sekretarit të shtetit Kerry, për mbështetjen e palëkundur për paqen e stabilitetin e rajonit, perspektivën euroatlantike të tij dhe në veçanti për mbështetjen e paçmuar ndaj Republikës së Kosovës.
Reeker-Panariti: Rritje të biznesit amerikan në Shqipëri/Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti priti në një takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Philip Reeker. Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan nivelin e shkëlqyer strategjik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh si dhe vlerësuan edhe një herë dimensionin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve në përballimin e sfidave të sigurisë globale edhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve politike dhe u  ndalën veçanërisht në rritjen e pranisë së biznesit Amerikan në Shqipëri dhe në rajon. Në takim u diskutua dhe për zhvillimet në rajon ku u theksua edhe një herë rëndësia e ekzistencës së frymës së dialogut dhe bashkëpunimit në shërbim të paqes, stabilitetit dhe perspektivës Europiane të Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›