Satanai i të pafajshmëve dhe djajtë e kuq
Ky shkrim mund të merret si një kundërveprim i natyrshëm ndaj atyre që e kanë bërë Edi Ramën si një robot të telekomanduar, për ta përdorur një person të shthurur fund e kreje, që në pubertet e gjer në moshën e sotme, për të jetësuar qëllimet e tyre satanike. Këto synime janë në përkitje me vesin e tij parak, kanceroz, të pashërueshëm, të shkallës sipërore: të babëzisë për pushtet vetjak të pafrenueshëm. Një personazh i kapërthyeshëm nga vese, para të cilave mjekët e psikiatrisë kanë ngritur duart përpjetë: Është Edvini, koka e përdhosjeve të tanishme të „demokracisë“ enveriste. Fillimisht mendoi të çante si antienverist si ai, dhe vetëm ai! Pastaj, i pabesueshëm si i tillë, u bë përgjegjësi kryesor i hosanave të diktatorit në Pezë. Tanimë nuk mund të gjendej dot një njeri tjetër më adapt për një përtëritje, pas një zvarritjeje përulëse, të statujave të tij, më 20 shkurt të vitit 1991. Buste e Statuja që kishin përmbytur të gjithë vendin tonë në kohën e një kulti të egër të individit, me tipare staliniste, që ia kishte vënë në dukje Nako Spiru, duke ia bërë edhe portretin e satanait, këtij individi të cilit të gjithë shqiptarët i dukeshin si kokrra meli, sipas përkufizimit të Nakos.
Edi është koka e përdhosjes, - thamë. Por qafa përbëhet prej bashkësisë së atyre njerëzve që po i thonë sot Edit, se do të jenë solidarë me të, vetëm në qoftë se ky do të jetë në gjendje që të ringrejë bustin e Enver Satanait, ashtu siç u orvat rritësi i bletëve, injoranti Namik Hoti, të cilin R. Alia e ngriti në rangun e kryetarit të një partie pa asnjë aktivitet, të partisë fantazmë ekologjike. Enveristët e tanishëm, ç’është e vërteta, kanë bërë edhe një përjashtim: Jo prej floriri, siç dëshironte ekscentriku Hoti, po prej...bronzi! I gjithë ky yrysh, nga inati se përse Ahmet Zogut I, iu ngrit një statujë në fund të bulevardit që, në kohët e arta, mbante emrin Bulevardi Stalin. Stalini, për ata që s’e dinë, por edhe për ata që bëjnë sikur nuk e dinë, ka qenë antishqiptar me damkë. Kësaj së vërtete ia kanë vënë kapakun, së paku, tre personalitete që kanë qenë të pranishëm në shprehjen e tiranit gjeorgjian, sipas së cilës Shqipëria çmohej si një plaçkë tregu dhe shqyrtohej “për gëlltitje” nga Jugosllavia e Titos, në këmbim të një ujdie që udhëheqësi jugosllav, mos të dilte nga binarët e Inform-Byrosë. Përveç dëshmive të Milovan Gjilasit, Eduard Kardeljit dhe të Didierit, sot kanë dalë edhe librat e Kujtimeve të Byroistëve të Stalinit, pas vdekjes së këtij, që e dinë këtë trajtim të turpshëm të Shqipërisë nga ana e Stalinit. Pra, mund të themi se stalinizmi i Enverit përmban edhe vulën e tradhtisë kombëtare të E.H.-s. Fan Noli, një erudit dhe letrar i madh, pati njëfarë kohë iluzione për shoqërinë komuniste, kinse kundër shfrytëzimit të “bujkrobërve” por pastaj e pa lumturinë e kooperativave bujqësore dhe të kolkozeve të urisë e të vdekjes. Dhe u bë aleat i Zogut, në vitet e mbrame të jetës së tij, gjatë të cilave monarku shqiptar e ndihmoi edhe që t’ia shlyente shpenzimet e një operacioni shëndetësor në Amerikë dhe të bëhej i një mendjeje me Faikun për vlerësimin e Zogut si prijës kundër totalitarizmit stalinist.
Enver Hoxha dhe Edi Rama kanë pasur një fëmijëri dhe një rini të trazuar nga pikëpamja e fizionomisë shpirtërore të dhunshme, duke filluar nga fobitë brendafamiljare. I pari: aventurier hakmarrës ndaj të gjithë atyre që e kanë ndihmuar, në rininë e hershme: Të gjithë shokët e vegjëlisë dhe të rinisë që e kanë pas ndihmuar me pare borxh, me strehim dhe me ndihma, i masakroi. Egocentrik i neveritshëm. Mosmirënjohës ndaj ndihmës zemërgjerë të Eqrem bej Libohovës; ndaj Syrja Selfos që i pati vënë në dispozicion shtëpi dhe ndihma financiare; ndaj të kunatit, Bahri Omarit, të cilit i ka pas ngrënë bukën dhe përmbysur kupën, siç është një shprehje. Qëndrim hakmarrës ndaj asaj vajzës së bankierit italian të Vlorës, që nuk ra në kurthin e përçapjeve për ta vënë në dorë, siç veproi edhe me Musine Kokalarin, me orvatje të dështuara dhe e quajti, pastaj –kur s’i eci, - rospie!. Me vrasjen e pamëshirshme të shoqes së klasës, Sabiha Kasimatit, e cila përdori ironinë dhe sarkazmin ndaj djaloshit të azdisur me fjalë provokuese. I dyti, Edi i çakërdisur, me femra që s’kanë pasur gojë të flasin gjer tani e të bëjnë atë që bëri artistja e talentuar dhe e hirshme e Balshoit, Vera Davidova, që nuk iu shmang dot epsheve shtazarake të Stalinit, por që në njërën prej veprave memorialistike më të bujshme të shekullit, e portretizoi shtazërinë e shpirtit mizor të tiranit, me një përsosmëri që mund të rivalizonte Stefan Cvajgun! Tani, ky i dyti, Edi, na qenka ngarkuar prej atyre enveristëve që e përdorin si robot, se do ta mbrojnë prej atyre që po e kërcënojnë brenda radhëve. Ata që e përdornin, do t’ia falnin këtë përçarje se “s’është i pazëvendësueshëm” , për kundërvëniet që ka pasur gjithandej për mujshinë dhe largimin me kokë të vet, të kandidatëve për deputet, me kusht që të rivendosë monumentin e zvarritur të E. Hoxhës!
Por a mund ta meritojë një gjë të tillë satanai i engjëjve? A nuk e dinë këta bijtë e satanait sesi i katandisi Enveri gratë e pafajshme të shqiptarëve me bursa studimi në vendet e kampit socialist? Në intervistat e kohëve të fundit, del e qartë se asnjëra prej tyre nuk ka ardhur për spiunllëqe në vendin tonë. Zakonisht ato ishin bashkëshortet e studentëve të artit, të këngëtarëve klasikë, të punësuar si përkthyese e redaktore emisionesh televizive dhe s’kishin çfarë spiunllëqesh të bënin, edhe po të donin! Kemi parë në TV, bukurinë dhe hijeshinë e këtyre femrave të bukura para se të binin në hetuesitë e ferrit tonë komunist dhe shndërrimin e tyre të shpërfytyruar pas daljes nga burgjet enveriste, me shporrjen e regjimit stalinist të Enverit. A thua se E.H.-a, të cilit duan t’ia ngrenë sërish monumentin, si edhe ata që thurnin skenare sipas urdhrave që merrnin, nuk e dinin se këto viktima të brutalitetit të tij hakmarrës, nuk kishin të bënin aspak me akuzat e përbindshme të sajuara nga specialistë të krimit të sajuar? E shoqja e Pietër Gacit, Barbara dhe gratë e tjera që pamë në TV , që kanë humbur të tërë rininë dhe jetën e tyre normale, sikur njeriu i shkretë të kishte edhe një jetë të dytë të lumtur, në harnoni familjare, që të mund të kompensonte atë që hoqi në një vend stalinist si yni! Enveri ishte stalinist dhe nuk e mohoi stalinizmin e tij gjersa vdiq, në prill të 1985-s. Djajtë e kuq nuk e dinin se mund ta pësonin si viktimat e tjera, fare aksidentalisht, për një gjë krejt e paparashikueshme? Kadri Hazbiu foli gajëshpatë kundër Mehmet Shehut. Por a parashikoi se do të binte edhe ai si i pabesë kundër Enverit?
Të ngresh statujën e Enverit është si të ngresh statujën e një stalinisti. Si nuk mendohet se kështu biem në anakronizëm?
Këtu, duam-s’duam, vijmë te krahasimi i E.H.- me mbretin Zog. Në prizmin human: A mund të tregohet një rast i një dokumenti ndërhyrës si individ, i Zogut, për ekzekutimin e këtij apo atij personi? Përkundrazi: kemi parë raste të një zemërgjerësie të dukshme të faljes: Beqir Valteri, atentatori kundër jetës së Zogut në Parlament. Ç’është e vërteta ai u vra, në atentat, nga komunistët. Por jo për të shpaguar Zogun, sigurisht. Së dyti: Nëse në ndeshje është vrarë kundërshtari, ka vajtur prefekti qeveritar për kafen e mortit, ndërsa – anasjellas, - është bërë si një ligj i pashkruar, zhdukja e eshtrave. Së treti: Në kohën e Zogut nuk kishte vrasje kufijsh, sepse kufijtë ishin të lirë, të hapur. Nga ana tjetër, në shtetin komunist të Enverit, quhej krim i rëndë kalimi klandestin i kufirit. Së katërti: Ishte absolutisht i palejueshëm dënimi i vëllait për faj të vëllait tjetër, apo i birit për babanë apo anasjellas. Së katërti: Zogu bëri pajtim të njëmendët kombëtar: Mirash Ivanaj, ministri i arsimit, nuk ishte monarkist. Ndonëse ai ishte antifashist dhe u largua gjatë pushtimit të 7 prillit, Ivanaj erdhi vullnetarisht për të dhënë kontribut në zhvillimin arsimor, por e pagoi me humbjen e jetës në burg, si hakmarrje se Ivanaj i kishte prerë bursën E.H.-s, sipas ligjeve shtetërore, për studentët mbetës. Por Zogu, nuk e ndaloi Enverin, amà, që të jepte mësim në Liceun e Korçës, si kundërveprim sesi ishte sjellë në Bruksel!
Nga ana tjetër akuzat kundër Zogut, që përsëriten nga historianë fanatikë, në mënyrë tendencioze dhe si të regjistruara në disqe gramafoni, s’kanë lidhje me të vërtetën: 1. Shiti interesat shqiptare, siç thuhej në ditarët e Çianos! 2. U largua me rastin e 7 prillit! 3. Shën Numi. I thonë edhe ata që i kanë mësuar përmendsh këto akuza. T’i pyesësh këta injorantë se cili nga monarkët nuk u largua, si reagim ndaj pushtuesit; se cili ka qenë Çiano dhe ç’dinë për atentatin që kishte organizuar Çiano kundër Zogut; se ç’dinë për ndërrimin e territoreve për Shën Naumin, me përfitime të tejmasshme për vendin tonë, në një marrëveshje që përfundoi Mehdi Frashëri, - asgjë fare nuk dinë të thonë. Kështu edhe ato stereotipe antihistorike të përsëritura nga kinse historianë të Enverit por, në të vërtetë, nga propagandistë enveristë, janë tregues të faktit se stalinizmi është një mbeturinë e kohës që ka mbetur, nga e gjithë Europa e sotme, vetëm te ne!
Prandaj vendi ynë ka mbetur më i vështiri për të arritur ato përparime që ka bërë, me një opozitë zvarritëse dhe nihiliste si jona.