E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Këtë javë nis dialogun me zgjedhësit

Kryeministri Sali Berisha do të nisë këtë javë serinë e takimeve për dialog dhe debat me zgjedhësit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri ka theksuar se këto takime do shërbejnë për të njohur shqiptarët me reformat e ndërmarra nga qeveria, por edhe për të marrë sugjerimet e tyre. "Duke filluar nga kjo javë në gjithë Shqipërinë do të nis një seri takimesh, që nuk do kenë të sosur. Këto takime, ky dialog me qytetarët shqiptarë ka objektiv paraqitjen e reformave të qeverisë, njohjen e qytetarëve shqiptarë me veprimtarinë e mazhorancës", tha ai. Berisha pohoi se është e domosdoshme të niset një dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë.
Më tej, kryeministri tha se në këto takime shqiptarët do njihen me progresin që është bërë për liberalizimin e vizave.
Berisha nënvizoi se niveli i korrupsionit në sistemin e shëndetësisë ka pësuar rënie të madhe dhe kjo ka ndikuar në uljen e korrupsionit në tërësi. "Ne do kemi një vullnet të hekurt kundër korrupsionit", shtoi ai.
Kryeministri pohoi se prioritet mbetet lufta ndaj informalitetit, dhe për këtë tha ai "ne do jemi më të ashpër se vetë politika e FMN".

Ndërkaq, kryeministri Berisha deklaroi se mbledhja e Komisionit të Ligjeve , ku të pranishëm ishin edhe deputetë të PS-së, ishte pozitive. Ai tha se mazhoranca i ka bërë një sërë ofertash opozitës për t'i mundësuar asaj një qendrim të ri ndaj problemeve. "Nuk ka mazhorancë që i thotë opozitës harto amendamentet vetëm që të kenë ekspertizë ndërkombëtare. Ne kemi pritur që opozita të dërgojë në Prokurori kërkesat pa pretenduar asnjë afat. Edhe pse afatet janë përcaktuar për stabilitetin e zgjedhjeve", tha kryeministri.

Në fjalën e tij, kryeministri ka uruar të gjitha gratë me rastin e 8-Marsit , Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›