E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Këtë mandat shëndetësia dhe reforma e saj përbën përparësinë e të gjitha përparësive

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e godinës së re të Fakultetit të Infermierisë, të Universitetit të Tiranës. Në inagurimin e kësaj godine, e cila kapi shifrën e 200 milionë lekëve të reja dhe u ndërtua brenda ambjenteve të korpusit spitalor “Nënë Tereza”, merrnin pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, rektori i Univeristetit të Tiranës Dhori Kule, Dekani i Fakultetit të Infermierisë, pedagogë, mjekë dhe studentë. 

Pasi i përgëzoi studentët për godinën e re në të cilën do të zhvillojnë procesin mësimor, kryeminstri Berisha u shpreh para të pranishmëve:

"I nderuar zoti ministër i Arsimit, i nderuar zoti ministër i Shëndetësisë, i nderuar zoti rektor, i nderuar zoti dekan, të dashur pedagoge e pedagogë, të dashur studente e studentë, miq të pranishëm.

Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, të përshëndes të gjithë pedagogët e Fakultetit të Infermierisë, studentët dhe t’ju uroj në këtë ditë të shënuar të inagurimit të një godine të re, moderne për zhvillimin e mësimdhënies në këtë fakultet, jetik dhe të rëndësishëm për shkencat mjekësore në Shqipëri. Dëshiroj gjithashtu, me këtë rast, të shpreh nderimin tim më të madh për 12 mijë infermiere dhe infermierë që në mbarë vendin ushtrojnë profesionin e tyre fisnik, i cili është njëkohësisht edhe misioni i madh, mision fisnik, në shërbim të njeriut, në ndihmë të tij për të mundur njërin prej dy armiqve më të egër, që ka njeriu i lirë dhe kjo është sëmundja. Dëshiroj të përshëndes mjekët e vendit tonë për punën e tyre të madhe që bëjnë, misionin e tyre fisnik, sakrificat e tyre të mëdha në shërbim të njeriut, të zhvillimit dhe mbrojtjes së shëndetit, të luftës kundra sëmundjeve.

Sot, unë ndjej një kënaqësi, sepse në sistemin tonë shëndetësor, besoj se një nga arritjet më të mëdha, ka qenë ndryshimi i madh cilësor dhe rrënjësor, që bëmë në profesionin e infermierit. Nga një profesion i skajuar, megjithë rolin themelor që luante, që merrej me kurse disa mujore apo një vjeçare, sot ne kemi fakultet si ky, në të cilin studentët janë të barabartë me të gjitha degët e tjerë, që ka hyrë plotësisht në sistemin e Bolonjës dhe ka realizuar tërësisht standardet më të mira të përgatitjes së infermierëve, logopedëve, mamive dhe profesioneve të tjera në këtë fakultet.

Dua të përshëndes trupën pedagogjike për këtë arritje të madhe dhe dua t’ju garantoj, se për qeverinë time, këtë mandat shëndetësia dhe reforma e saj, përbën përparësinë e të gjitha përparësive. Në mënyrë mjaft të shpeshtë, qeveria po trajton dhe do të trajtojë problemet e reformës. Ne jemi të vendosur që të angazhojmë të gjitha burimet e nevojshme financiare, njerëzore dhe të tjera, në mënyrë që t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që ata meritojnë. Reforma e shëndetësisë, është një reformë jo e thjeshtë, është një reformë e vështirë, dhe ndoshta më e vështira, por reforma e shëndetësisë, është më jetikja dhe është detyrimi më madhor i çdo qeverie. Vetëm me një reformë të thellë, e cila duhet përfshijë të gjithë mekanizmin financiar, vendi do të mund të ketë shëndetësinë që duhet, kujdesin shëndetësor që është i detyruar t’ua ofrojë qytetarëve të tij. Kjo reformë sigurisht që projektohet nga grupe drejtuese, por kjo reformë mbetet në letër në qoftë se ajo nuk ka mendimin, mbështetjen tuaj të fuqishme, në çdo sektor, në çdo qelizë të këtij sistemi. Unë kam besim të madh, se nivelin e lartë profesional që ju keni në fushat ku punoni, do ta shndërroni këto vite në një përpjekje të madhe të përbashkët për reformën tërësore, për shërbimet shëndetësore më cilësore, më të shpejta më të mira, që duhet t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë dhe për nxjerrjen e këtij sistemi tërësisht nga korrupsioni.

Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë, është jetike dhe vendimtare, për ta vendosur bluzën e bardhë në piedestalin që ka patur dhe duhet të ketë në të gjitha kohërat. Qeveria duke patur parasysh sakrificën tuaj dhe rolin tuaj, në 4 vjet ka dyfishuar rrogat dhe unë ju garantoj ju se qëndrimi ynë ndaj rrogave dhe trajtimit tuaj dhe të mjekëve, do të jetë gjithnjë e më agresiv. Eshtë e domosdoshme që ju trajtoheni dhe të shpërbleheni për punën jashtëzakonisht të vështirë që keni, jashtëzakonisht delikate, për misionin e madh që ju përmbushni. Dekani me të drejtë kërkoi që t’u lihen të ardhurat dytësore. Që të gjitha në buxhetin e viti 2010, ia lënë universiteteve, do t’u lihen spitaleve, dhe përveç kësaj buxheti i shtetit, do të ketë rritjen e ndjeshme, për rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, rritjen e kapaciteve të fakulteteve të mjekësisë; do të ecim drejt krijimit të një universiteti të Mjekësisë, pasi nevojat në këtë fushat, janë mjaft të mëdha, megjithë numrin e madh të studentëve dhe pedegogëve.

Ne shkojmë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë hapësirë, në këtë bashkim, ka standarte dhe ne do t’i plotësojmë ato një e nga një. Nuk jemi në nivelin e duhur të standarteve për mjekët për frymë popullate. Jo, ne do të rrisim numrin e studentëve në univerisitetin e mjekësisë sikundër dhe do të shohimin dhe mundësinë e licensimit të universiteteve private. Janë krijuar baza të fuqishme spitalore sot në vend, të cilat janë pothuajse të njëjtat me ato që kemi patur ne dikur kur kemi studiuar në Fakultetin e Mjekësisë. Kështu që duhet të kemi besim të plotë dhe të punojmë për të rritur ndjeshëm numrin e mjekëve për frymë.

Duhet të punojmë shumë më tepër me Ministrinë e Shëndetësisë për të garantuar rajonizimin. Aty ku ka qytetarë shqiptarë, duhet të ketë shërbim shëndetësor, duhet të ketë shërbim shëndetësor cilësor dhe unë e kuptoj që një mjek që punon në Kalanë e Dodës, që punon në Lekbibaj apo në Dukagjin, ka vështirësi 10 herë më të mëdha në kushtet e tregut, se një mjek që punon në Tiranë. Prandaj zoti ministër, duhet të përcaktojmë një shkallare pagash shumë tërheqëse, përndyshe do ta kemi shumë të vështirë t’i themi atij të përmbushë detyrimet në zonat më të largëta dhe duhet t’i përmbushi. Sikundër do të modernizojmë edhe më tej, flotiljen e helikopterëve dhe do të bëjmë çdo gjë të mundur, që sistemi i urgjencave të funksionojë në një vend të vogël, në njësi kohe sa më të shkurtër. Ministria po punon dhe do të punojë për ngritjen e një sistemi të ri urgjencash në mbarë vendin, i cili do të mund t’u japë përgjigje të shpejtë, t’u japë ndihmën më të shpejë qytetarëve në nevojat shëndetësore.

Këto katër vite në një apekt mund t’i quaj vitet e Shëndetësisë. E kam theksuar dhe po e theksoj prapë. Prova më e madhe e qeverisjes time, do të jetë reforma në shëndetësi. Eshtë jetike që të gjenden të gjitha format, për ta bërë këtë sistem sa më funksional; është jetike të shtrijmë me shpejtësi të madhe partneritetin publik privat. Ne jetojmë në kohën kur revolucioni i vetëm dhe më i madh që po zhvillohet sot në botë, është ai i shërbimeve. Në këtë kontekst qëllimi sado i vështirë, por edhe më kryesor duhet të jetë, që t’u japim mundësi qytetarëve që të përzgjedhin shërbimet që duan. T’u japësh mundësi qytetarëve që të përzgjedhin shërbimin që duan, do të thotë të pranosh garën, të pranosh kompetivitetin, do të thotë të vendosësh një bashkëpunim të ngushtë komplementar në shumë raste, midis sektorit publik dhe sektorit privat. Do të thotë të trajtosh në shumë aspekte, në barazi të plotë këto sektorë në raport me shërbimet që i ofrojnë qytetarit.

Unë edhe një herë dua t’ju përshëndes dhe t’ju ftoj, pedegaogëve studentëve, kolegëve e mjekëve miqve të mi, që të procedojnë këto vite me vendosmërinë më të madhe për t’i dhënë Shqipërisë shërbimin shëndetësor që qytetarët shqiptarë meritojnë.

Faleminderit ! 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›