E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga një koleg që veç kolegët e vet s’i ka në sy

Po vija nga Dibra për në Tiranë bashkë me një shokun tim nga Dibra e Madhe. Tani është vjeshtë dhe lumi Drin ishte i tejmbushur. Po dëgjonim në një radio në makinë ku akuzohej Berisha për një ngjarje ndodhur në një nga lokalet e Tiranës! “Ore më tha ai, po sikur Drini të kthejë rrjedhë në të kundërt, Berishën sërish do të akuzoni”! E solla këtë fragment bisede të shkurtër, pasi në logjikën e shumë analistëve të mediave të shkruara shqiptare - mes tyre edhe Mustafa Nano - për çdo gjë akuzohet Berisha. Nuk kam dashur asnjëherë të polemizoj me Mustafanë, për qindra e qindra shkrimet e tij që ka shkruar kundër Sali Berishës, qysh kur ai ishte në opozitë apo dhe tani në pushtet, por teksa lexova shkrimin e tij dje “Unë kam frikë nga Sali Berisha”, mendova se s’ia vlente më heshtja... . Ai sërish përsërit veten në ato çfarë ka thënë vite me radhë dhe asgjë të re nuk thotë! S’ka nevojë t’i shkohet deri në fund shkrimit, pasi qysh në fillim, ai bombardon me frazat: “Berisha bëri këtë, bëri atë....”, baras kjo më atë shprehjen e mikut tim, “po sikur të kthente Drini rrjedhë, Berisha do e kishte fajin?”! Mua nuk më shqetësojnë argumentet e tij për Berishën, pasi në fund të fundit, janë qytetarët shqiptarë ato që i kanë prekur ndryshimet e ndodhura në Shqipëri, falë qeverisjes së Sali Berishës dhe ekzistencës së tij në politikë.

Njeri prej tyre është edhe ai vetë, por me të vërtetë unë kam frikë nga Mustafa Nano. Ju lutem të mos më keqkuptoni, nuk dua të them se nuk mundem të dal dot në rrugë se mos me “rreh” ai, shokët e tij analistë dhe komentatorë monopol në mediat e shkruara, që shkruajnë sipas porosive, për njëri-tjetrin. Çdokush që do të lexojë këto radhë, ndoshta do t’i shtrojnë pyetje vetes: Ore përse ky paska frikë nga Mustafa Nano? Ai është njeri i urtë, nuk shquhet për agresivitet? Çfarë t’i ketë bërë vallë ky Mustafa Nano që e ka frikë?!, e pyetje të tjera të këtij soji! Jo miqtë e mi. Unë nuk kam asgjë me të dhe mund të jetë ashtu siç thoni ju, por e kam frikë sepse në qëndrimin e tij ndaj lirisë së shtypit është selektiv dhe kjo jo vetëm më tremb, por është shumë e rrezikshme për komunitetin e gazetarëve. Janë pikërisht këta soj analistësh, komentatorësh apo publicistësh - quajini çfarë të doni - të cilët e kanë çuar në këtë pikë situatën, që ata që punojnë në media, të ndihen të frikësuar. E para ka të bëjë me faktin se për çdo gjë në këtë vend, na qenka fajtor një njeri sipas tyre dhe ai është në çdo rast Sali Berisha, dhe pse shqiptarët vazhdojnë ta votojnë dhe për çdo fatkeqësi të tyre personale apo familjare që nuk ua uroj, u dashka të përgjigjet po Sali Berisha. Jo zotërinj, fajin së pari Mustafai e kërkojeni të vetja!! Në qëndrimet tuaja ju jeni shumë të rrezikshëm për qytetarët shqiptarë të çdo kategorie qofshin ata; biznesmenë, politikanë, artistë. Kë nuk keni marrë nëpër gojë dhe për çdo gjë keni dhënë mendim sikur jeni ekspertë të gjithçkaje! Kështu ju jeni kthyer në një rrezik jo vetëm për komunitetin e gazetarëve, por dhe për vetë shoqërinë. Përse Mustafai dhe soji i tij i analistëve, nuk reaguan kur Edi Rama me paturpësinë më të madhe në një konferencë për shtyp, përdori fjalor ordiner ndaj një gazetareje e cila aq më tepër ishte femër, teksa pyetjen e saj e quajti “prostitucion mediatik”, se nuk i pëlqeu?! Aq me keq akoma, me heshtjen e vet, Mustafai u pajtua me këtë të keqe për të mos shkuar më tej e për të mos thënë se ndoshta atë natë soji i tij mund të kishte darkuar me Edi Ramën dhe mund të ishte zgërdhirë me barcaletat e konferencave të tij për shtyp!

Të tilla raste flagrante të sjelljes brutale të liderit të opozitës me gazetarët ka plot, por nuk ka pasur asnjë reagim nga ky soj analistësh për të mbajtur anën e gazetarëve në emër të lirisë në media. Çfarë prisni zotëri, që Edi Rama të kapë shkopin e ti zhdëpë në dru?! Atëherë na thoni z.Nano dhe soji juaj i analistëve, në emër të kujt lirie shtypi reagoni, kur jeni selektiv? Pse zotëri, personaliteti dhe jeta e një reporteri të thjeshtë në çdo media qoftë, nuk është baraz me tuajën?!

Nuk di nëse do më ndodhë mua larg qoftë një përplasje fizike ose jo për shkak të detyrës të merrem në mbrojtje. Fakti që reagimi i Nanos dhe i analistëve të tjerë është selektiv më tremb. Ja pra pse kam frikë nga një koleg si Mustafa Nano.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›