E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Këtë vit rritje të numrit të turistëve

Duke folur në mbledhjen e qeverisë për ecurinë e sezonit turistik, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se këtë vit numri i turistëve do e tejkalojë atë të vitit të kaluar.

“Të pakuantifikuara, por të paprecedent janë të dhënat për turizmin. Këtë vit, rritja është tërësisht e bazuar tek qytetarë jo shtetas shqiptarë. Rritja është rreth 25-26 përqind dhe kjo nuk është e vogël”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se e veçanta këtë vit është se është rritur numri i pushuesve qytetarë jo shqiptarë.

Turizmi, tha Kryeministri, po shndërrohet gjithnjë e më shumë ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare, kur vetëm në dy vjet turizmit u rrit me 60 përqind. Një faktor kryesor për këtë rritje, Kryeministri identifikoi ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë.

Kryeministri vlerësoi si politikën më të drejtë vendimin e qeverisë për ta shndërruar në përparësi zhvillimin e zonave turistike, kur për infrastrukturën tërësore të saj qeveria ka investuar mbi 750 milion euro, nga Shkodra në Ksamil.

Kryeministri kërkoi mirëkuptimin e biznesmenëve në zonat turistike që të bëjnë kujdes me pragun e zhurmës së lejueshme, sipas ligjit dhe respektimin e orareve.

“Ne, - tha Kryeministri - nuk mund të pranojmë që njerëzit të largohen nga pushimet për shkak të zhurmës. Ndaj unë kërkoj mirëkuptimin e të gjithë bizneseve dhe i garantoj se asnjërit prej tyre nuk i ndalohet muzika në lokalin e tij, por, natyrisht, lokali i tij ka disa kufij hapësinorë dhe nuk mund të bëhet shkak për shqetësimin e të tjerëve përreth”.

Kryeministri theksoi se inspektorët e mjedisit kur të shkojnë për inspektim, duhet të kenë aparatin me vete dhe t’u faktojnë biznesmenëve se sa decibel kanë tejkaluar zhurmën dhe se kjo në ligjin shqiptar, që është strikt europian, përbën shkelje ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›