E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kjo është seanca e parafundit për opozitën

19/02/2010 Kryeministri fton deputetët e PS-së të lënë bojkotin

Deputeti Halimi kërkon ndërhyrjen e Kuvendit për 400 familje

Kreu i Qeverisë, Sali Berisha, ka kujtuar dje deputetët e Partisë Socialiste se nuk u ka mbetur shumë kohë për të reflektuar mbi situatën aktuale në të cilën është futur kjo parti pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë fjalës së tij në Parlament, ai tha se kjo ishte seanca e parafundit që ata mund të bojkotojnë. “Uroj dhe shpreh dëshirën që deklarata e Presidentit të asamblesë parlamentare të OSBE-së, e cila përfshin plotësisht opozitën, Qeverinë dhe zgjedhjet në Shqipëri, të shërbejë si dokument frymëzues, në mënyrë që opozita më 4 mars të zërë vendin e saj në Parlament me dinjitet të plotë, aty ku i kanë votuar qytetarët shqiptarë. Kjo është seanca e parafundit për pjesëmarrjen e tyre, me qëllim që të mos u digjen mandatet”, tha Berisha. Seanca e djeshme parlamentare, e hapur me diskutimet jashtë rendit të ditës, ka shqyrtuar gjithashtu edhe disa projektligje në rend të ditës. Deputeti i PD-së i Qarkut Durrës, Eduart Halimi, në fjalën e tij ngriti shqetësimin mbi konfliktin mes këshillit e bashkiak dhe të kryetarit të Bashkisë Durrës për privatizimin e godinave shtetërore në të cilat jetojnë mbi 400 familje, ish-të burgosur politikë. “Ato i kanë paguar shtetit për 15 vjet qira, dhe ndonëse Qeveria para dy vjetësh ka nxjerrë një vendim për nisjen e procedurave të privatizimit të tyre, ato nuk i kanë ende në pronësi. Pronari i objekteve është Bashkia e Durrësit, e cila nuk ka ndër mend të marrë ndonjë hap. Kreu i bashkisë është përfaqësues i PS-së, një partie që është agresion ndaj kësaj shtrese”, tha Halimi. Për këtë qëllim, ai kërkoi nga Kuvendi nisjen e një aksioni politik që do të zgjidhë konfliktin mes këshillit të bashkisë dhe kryetarit të Bashkisë Durrës.

Punimet e Kuvendit

Nën drejtimin e zëvendëskryetarit Ardian Turku, Kuvendi miratoi të gjitha projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, mes të cilëve ai “Për marrjen në kontroll të shoqërive publike”, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”. Deputetët në diskutimet e tyre folën për negociatat mes mazhorancës dhe opozitës, për dëshmitë e krimeve të diktaturës etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›