Fier, 20 shoqata kundër regjistrimit fetar
19/02/2010 FIER- Vendimi i qeverise për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare vazhdon të shkaktojë reagime jo vetëm të politikanëve, por edhe shoqatave të ndryshme. Pas 11 shoqatave të Vlorës, përfaqësues të 20 shoqatave që aderojnë veprimtarinë e tyre në Fier i kanë bërë thirrje qeverisë të anulojë këtë vendim që sipas tyre do të thotë shitje e interesave kombëtarë dhe cenim i harmoninë fetare në vend. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp përfaqësues të shoqatave të çështjes kombëtare, të të përndjekurve politikë, Myzeqeja, Labëria, Mallakastra, Çamëria, komuniteti mysliman, shoqata e intelektualëve ortodoksë, dëshmorëve të luftës nacionalçlirimtare etj. kanë shprehur edhe kundërshtimin e tyre për këtë çështje duke e bazuar këtë në bashkëjetesën fetare që ka qenë këtu në shekuj dhe në rrezikun që mbart sidomos ndaj minoriteteve, çështjes së Himarës, shtimit të njerëzve me përkatësi greke dhe investimet e kësaj qeverie me dhënie pensionesh njerëzve me kombësi shqiptare dhe që banojnë në Shqipëri. Në emër të të gjithë shoqatave foli në takimin e zhvilluar në sallën e Bibliotekës publike në Fier, intelektuali Lirim Muhaj. “Ne kërkojmë të hiqet regjistrimi për përkatësi fetare dhe etnike. Dikur bashkëjetesa ka qenë tejet e mirë dhe nuk është e rëndësishme sesa është numri i popullsisë me këtë apo atë besim fetar. Nuk kemi përse i turbullojmë ujërat me ndasi fetare dhe etnie”,-ka thënë Muhaj. Përfaqësuesit e shoqatave e kanë quajtur të pafalshëm aktin e kufijve detare të Shqipërisë, indiferentizmin sipas tyre të çështjes çame nga ana e qeverisë etj. Ish-drejtues te shtetit, akademikë e historianë ka deklaruar se ky regjistrim bie ndesh me Kushtetutën. Por pavarësisht kësaj qeveria krijoi komisionin kombëtar, i cili parashikohet të përfundojë procesin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë brenda vitit 2011. A. Damini