E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Kjo qeveri do beje gjithcka qe integrimi te jete i pakthyeshem

“Kjo qeveri do të bëjë gjithçka që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të jetë i pakthyeshëm dhe për ta afruar vendin tonë drejt tij. Por që shqiptarët ta gëzojnë këtë proces me dinjitet, duhet që secili prej tyre ta marrë si një proces të bazuar në meritë dhe performancë”.

Kështu është shprehur sot në seancë plenare, kryeministri Berisha, duke komentuar Progres-Raportin e Komisionit Evropian, që u publikua ditën e djeshme dhe refuzimin e statusit të kandidatit për Shqipërinë.

“Pikërisht se kemi ndjekur standardet, ne ia kemi arritur që me rritjen e pagave dhe të pensioneve ne të lëmë prapa 2-3 vende të BE-së.

Se kemi ndjekur këto standarde, ne kemi sot në sistemin tonë arsimor, nivelet më të larta të rekrutimit në Evropë dhe në botë.

Se kemi ndjekur këto standarde, Shqipëria arriti nivele të jashtëzakonshme ekonomike.

Se kemi ndjekur këto standarde, renditemi sot në një nga vendet që garanton më mirë se të tjerët, investimet e huaja në vend.

Se kemi ndjekur këto standarde, ia kemi dalë që eksportet e këtij vendi të 3-fishohen në pak vite.

Se kemi ndjekur këto standarde, Shqipëria sot është sot anëtare e NATO-s dhe shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën.

Ky është zotimi ynë”, tha ai, duke vënë në dukje arritjet e qeverisë.

Por sipas tij, ka edhe një realitet tjetër, ai që fal opozita. E cila sipas Kryeministrit voton kundër rritjes së pagave dhe pensioneve; kundër uljes së taksave; kundër gjërave që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Vetëm dhe vetëm se duan të fërkojnë duart me izolimin e qytetarëve dhe me pagat e pensionet e ulëta.

Unike në historinë e vendit dhe të Evropës, që një opozitë, nga mëngjesi deri në darkë, lufton për të bllokuar heqjen e vizave”, tha ai duke kritikuar opozitën.

Duke vijuar më tej, Kryeministri theksoi se “mbetet i vendosur dhe i hapur për bashkëpunim konstruktiv me opozitën, mbi bazën e parimeve të shpallura”.

“Në doni të ulemi për reformën zgjedhore, jam absolutisht dakord; në doni për reformën e rregullores jam përsëri absolutisht dakord”, iu drejtua ai deputetëve të opozitës, të pranishëm në sallë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›